Këshilltari i Presidentit përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se Meta i qëndron mendimit të tij të djeshëm për ndryshimet kushtetuese.
Presidenca njofton se Meta do të reagojë nesër për këtë çështje, pasi aktualisht është i përqendruar me një raport tjetër, sipas tyre, zhgënjyes të ndërkombëtarëve për vendin tonë.
“Të nderuar kolegë,
Lidhur me interesimin tuaj për reagimet e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe legjitimitetit të Kuvendit, i mbetem reagimit të djeshëm zyrtar.
Presidenti Meta aktualisht është i përqendruar me një raport tjetër zhgënjyes të ndërkombëtarëve për vendin tonë.
Por ju njoftoj se nesër mund ta pyesni Presidentin Meta për çdo çështje, në konferencën javore për mediat, që do e afrojmë një ditë, për arsye të axhendës.”, – njofton këshilltari i Presidentit Meta.
Ndërsa përsa i përket deklaratë së djeshme, Presidenca reagoi duke thënë: “Lidhur me lajmet e fundit për disa ndryshime kushtetuese, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thekson se Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë, ku përfshihen edhe tre deputetët të cilët nuk pranuan të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar.
182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit.
Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrimi kushtetues.
Procesi i zëvendësimit ka qenë haptas antikushtetues dhe antiligjor.
Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë.
E ardhmja europiane e Shqipërisë është alternativa e vetme e të gjithë qytetarëve të këtij vendi.
Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!
SHQIPËRIA E PARA!
SHQIPËRIA SI GJITHË EUROPA!” – thuhet në njoftimin e presidencës.
Diskutime rreth kësaj post