Media e përditshme ruse Kommersant, ka shkruar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të shtyjë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe shërbimet e inteligjencës evropiane nuk presin një kthesë të shpejtë të politikës së tij ndaj Moskës.
Gazeta shkruan se kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili vizitoi Beogradin në fund të javës së kaluar, kërkoi hapur se Serbia duhej t’i bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.
“Parashikimet mbështeten në raportin e vulosur të shërbimeve të inteligjencës së BE-së, i cili doli në media dhe i cili u urdhërua nga kreu i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell”, shkruan gazeta.
Kjo media shton se autorët e raportit besojnë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të mundohet ta shtyjë sa më shumë ndryshimin e kursit ndaj Moskës dhe se për këtë do t’i kërkojë Perëndimit një çmim të lartë.
“Rritja e presionit perëndimor ndaj Beogradit u nis nga fakti se Serbia mbetet i vetmi vend midis anëtarëve dhe kandidatëve të BE-së që nuk i është bashkuar sanksioneve anti-ruse”, shkruan gazeta.
Kommersant shkruan se duke iu referuar burimeve diplomatike të paidentifikuara, nuk priten ndryshime në politikën e Beogradit derisa të zgjidhet përfundimisht çështja e dërgimit të gazit rus në Serbi.
Marrëveshja në parim për këtë çështje u arrit në fund të majit gjatë një bisede telefonike mes presidentëve të dy vendeve Putin dhe Vuçiç, megjithatë, marrëveshjet përfundimtare për gazin (çmimi i saktë dhe fushëveprimi) ende nuk janë arritur në negociatat mes Gazprom rus dhe NIS.
“Para kësaj, sigurisht, Moska do të donte të qartësonte qëndrimin e Beogradit për krizën ukrainase dhe mbi të gjitha për sanksionet.
Supozohej se këtë do ta bënte ministri rus i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov gjatë vizitës së tij në Beograd më 6-7 qershor.
Por ajo vizitë u anulua zyrtarisht për shkak të refuzimit të vendeve fqinje të Serbisë për të siguruar një korridor për avionin e ministrit rus, i cili ishte në listën e sanksioneve të BE-së”, shkruan Kommersant.
Gazeta shton se Moska tani është në pritje të ardhjes së ministrit të Jashtëm serb, Nikolla Selakoviç.
“Vizita e tij do të qartësojë shumë perspektivat për marrëveshjet përfundimtare ruso-serbe të gazit, si dhe qëndrimin e Beogradit ndaj sanksioneve”, tha gazeta.
Diskutime rreth kësaj post