Teksa jemi përballë fatkeqësisë natyrore më të madhe që ka goditur vendin dekadat e fundit, qytetarët e zonave të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, me të drejtë vijojnë ende të jenë të frikësuar dhe në panik.
Shumica e banorëve të Durrësit, por edhe rrethinave të tij, kanë braktisur qytetetin pasi nuk ndihen të sigurtë, ndërsa pjesa tjetër e qytetarëve kanë zgjedhur makinat e tyre për të kaluar natën.
E teksa paniku vijon, qytetarët duhet të qetësohen, pasi rreziku më i madh ka kaluar dhe sipas të gjithë ekspertëve dhe sizmologëve, nuk ka gjasa që një tjetër goditje e fuqishme të shkundë vendin, pavarësisht se tërmetet nuk mund të parashikohen.
Si fakt për të vërtetuar këtë konstatim janë edhe lëkundjet e regjistruara në Shqipëri gjatë orëve të fundit, magnituda dhe intensiteti i të cilave sa vjen e zvogëlohet.
Ky është një lajm i mirë, pasi tashmë mund të konfirmohet se energjia më e madhe, e akumuluar në pllakat tektonike, është çliruar.
Siç shihen dhe në fotot e marra nga aplikacioni Last Quake i Qendrës Sizmologjike Europiano-Mesdhetare (EMSC), ka një ulje rënie të ndjeshme të fuqisë së pasgoditjeve.
Tërmetet e fundit që kanë goditur vendin janë të gjithë nën magnitudën 3 të shkallës Rihter, gjë që është mëse normale pas tërmetit 6.4. Sipas ekspertëve të tilla goditje mund të vazhdojnë për ditë të tëra, por nuk ka rrezik serioz për ndonjë tërmet të fuqishëm.
Tërmeti me magnitudë 6.4 sipas shkallës Rihter la pas 49 viktima, mbi 850 persona të plagosur, si dhe mijëra banesa, ndërtesa e pallate, të dëmtuara ose rrënuara terësisht.
Diskutime rreth kësaj post