Sapo ka mbyllur pushimet e gjata të verës dhe në 7 shtator do tëmund ta rishohim sërish çdo ditë në ekranin e Top Channel. Erjona Rusi rrëfen në një intervistë për “Who” si ndihet në nisjetë sezonit të ri televiziv, risitë e 2 programeve televizive qëdrejton, bashkëpunimin me Florin dhe “pengun” e saj për vajzën.
Si ishin këto pushime për ty?
Pushime që i dëshiroja pa fund me thënë të vërtetën dhe s’do mëvinte keq të bëja edhe të tjera😊. Mezi prisja të shkëputesha nga çdo gjë, pas një lodhje dhe sezoni shumë të ngarkuar, veçanërisht nga ana psikologjike për shkak të pandemisë. Pata fatin që të bëj në një farë mënyre 3 palë pushime, me secilin prej anëtarëve të familjes. Fillimisht pak ditë në jug me vajzën, mamin dhe motrën, pastaj disa ditë me familjen e vëllait, që jeton në Gjermani dhe u kënaqa pa fund me nipin. Dhe në fund shijova një javë vetëm me Nikin (vajzën) dhe Edin (bashkëshortin). Vetëm ne të tre dhe askush tjetër larg nga çdo gjë.
Si ndihesh në nisje të sezonit të ri televiziv dhe do jesh sërish në 2 programe televizive ?
Pushova shumë se e di që do të më duhet të punoj shumë 😊. Tingëllon si shaka por realisht na pret një punë e jashtëzakonshme, dhe jo vetëm mua. Emisioni “Shqipëria Live” hyn në sezonin e dytë dhe ai sukses që pati në fillim, tani duhet vijuar, e madje rritur. E kjo është sfidë padyshim, por mendoj qëkëtë sezon kemi avantazhin që jemi konsoliduar si staf. Dmth, mendoj që e njohim më mirë njëri tjetrin dhe dimë të bashkëpunojmë më mirë apo ta ndihmojmë njëri tjetrin. Do të vijmë me një studio edhe më të bukur e më të ngrohtë, se vetë nuk bëhemi dot më të bukur se ç’jemi 😊. Por s’po i them të gjitha, se nisim për pak ditë e do mërzitet autorja Olsa Muhameti nëse jap shumë detaje 😊. Dhe natyrisht që çdo të shtunë pasdite do të jem sërish me “Hipokratin”. Jam e kënaqur që produksioni as që e mendonte nevojën për ndonjë ndryshim në drejtimin e emisionit dhe as unë natyrisht. Por gjithësesi “Hipokrati” është tashmë një program i konsoliduar, pavarësisht se kush është imazhi që e drejton. Kjo edhe për shkak të profilit të veçantë që ka. Kështu që mund të them që ndihem më energjike se kurrë për këtë sezon. Uroj ta mbyllim po me kaq pozitivitet me të cilin po e nisim, do të ishte vërtetë fantastike 😊
Bashkëpunimi me Flori Gjinin mesa duket ka qënë i mirë, përderisa do të vijoni të jeni sërish të dy bashkë?
Më kujtohet në ditët e para të “Shqipëria Live” kur kishte nga ata që na shkruanin se ne të dy nuk kishim shumë “kimi” mes njëri tjetrit. Dhe u kam kthyer këtë fiks përgjigje: “Natyrisht që nuk kemi, jemi 2 njerëz që as nuk e njohim njëri tjetrin. Dhe ju e ndjeni sepse ne jemi të vërtetë”. Po ka një avantazh, ky program, është pikërisht fakti që ne jemi të vërtetë, jo vetëm unë e Flori por i gjithë programi. Ne nuk përpiqemi të zbukurojmë apo të sjellim një realitet që nuk ekziston. Aty është pikërisht Shqipëria, (apo shqiptarët), me të mirat e të këqiat, me të bukurën dhe “të shëmtuarën”, me problemet e thella sociale, debatet, historitë e vështira njerëzore por edhe ato frymëzuese. Pra ai realiteti i përditshëm që të gjithë ne jetojmë, e që vjen në ekran me qëllimin jo thjesht për të treguar, por për të ndihmuar, ndërgjegjësuar e pse jo edhe për ta ndryshuar sadopak, aty ku nevojitet dhe aty ku mund tja dalim. Por për tju rikthyer Florit, në fillim mendoja që ishim shumë të ndryshëm e më trembte disi kjo gjë. Por tani, mendoj që është i domosdoshëm, veçanërisht për humorin dhe energjinë që e karakterizon 😊. Dhe për më tepër kemi një të përbashkët të madhe, të dy punojmë e përpiqemi fort për gjërat që duam.
Ndonjë peng nga sezoni i kaluar, apo plan që nuk arriti tëpërmbushej?
Peng kam, por jo profesionalisht. Kam një lloj pengu, nëse mund ta quaj kështu, për vajzën. Duke qënë se angazhimi im do të jetë edhe këtë vit, goxha intensive, kam frikën nëse arrij të ndihmoj Nikol (vajzën) duke qënë se e pret një vit i vështirë në shkollë. Ky vit shkollor do të jetë i lodhshëm për fëmijët, përshkak të rregullave të reja, mënyrës krejt ndryshe të organizimit të mësimit dhe kjo më tremb paksa. Ka shumë gjëra për të cilat nuk jam e bindur, nëse është më e mira për fëmijën tim, duke nisur që nga mbajtja e maskës për orë të tëra. Dhe mbi të gjitha, më duket e pamundur, madje gati qësharake që të pretendosh që fëmijët, të paktën të kësaj moshe (10-11 vjeç) apo edhe më të vegjël të ruajnë distancën me njëri tjetrin. Ata (fëmijët) mezi presin të ritakohen, flasin e madje edhe të përqafohen pas një shkëputje aq të gjatë, e nuk besoj që do të mundet kush tua heqë këtë të drejtë, qoftë ky edhe një virus që ata nuk e kuptojnë. Gjithësesi, ky do të jetë një vit i vështirë, pak por e sigurtë./revistawho
Diskutime rreth kësaj post