Analisti Mark Marku, shprehet se është pro protestave të opozitës, por kundër revolucioneve të dhunshme, pasi shpeshherë ato nuk e rregullojnë problemin, por sjellin probleme të tjera. Analisti flet për krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundra qeverisë, si dhe për alternimin e sinergjisë të këtij fronti me një fushatë të mirë me kandidat potencial.
“Unë normalisht jam për protesta. Protestat e mëdhaja mund të sillnin dhe zgjidhjen e çështjes. Kur them për krijimin e një fronti kundra Ramës nuk kam parasysh vetëm protestat, por diçka më të gjerë. Të krijimit të një lloj sinergjie mes partive politike, mes aktorëve individual dhe mes grupeve sociale që nuk përfaqësohen politikisht.
Një tip lëvizjeje jo domosdoshmërisht të dhunshme, pasi mendoj se lëvizjet revolucionare nuk e zgjidhin problemin, përkundrazi, sjellin probleme të tjera. Unë mendoj një lëvizje rezistence të tipit politik ku të gjithë aktorët të konvergojnë për rrëzimin e Ramës.
Paralelisht do duhej të bëhej një fushatë elektorale me kandidatë të mirë, t’i japin garanci zgjedhësve që ata janë vërtet për ndryshimin. Nuk jam dakort me lëvizjet sporadike që u bëjnë thirrje njerëzve të dalin në rrugë në mënyrë kaotike”, u shpreh Marku për Fax News.
Diskutime rreth kësaj post