Lulzim Basha është votuar nga demokratët për të udhëhequr PD edhe për 4 vitet e ardhshme. Dje partia kryesore opozitare zhvilloi zgjedhjet për kryetarin e saj dhe në përfundim të tyre Basha u shpall fitues.
Basha mori 81% të votave ose 32.882 në total në të gjithë vendin. Pas tij më shumë vota grumbulloi Agron Shehaj, 6038 vota. Edit Harxhi mori 991 vota, ndërsa Fatbardh Kadilli 763 vota. Në total në të gjithë degët e PD votuan 41.095 anëtare ose 54.7% e totalit.
Të drjtë vote kishin mbi 75 mijë anëtarë. Lulzim Basha është shpallur fitues pothuajse në çdo qytet, përjashto Selenicën ku fitoi Agron Shehaj. Në këtë degë rezultati ishte: 119 vota Agron Shehaj, 102 vota Lulzim Basha, 1 votë Fatbardh Kadilli, 1 votë Edith Harxhi, 2 vota të pavlefshme. Në Berat kreu aktual i PD ka fituar bindshëm me 1281 vota, i ndjekur nga Agron Shehaj me 486 vota, Kadilli 39 vota dhe Harxhi 40 vota.
Po ashtu në pothuajse të gjitha degët e tjera ka fituar Basha çka do të thotë se do të vijojë detyrën në krye të PD. Procesi është shoqëruar edhe me përplasje verbale edhe fizike. Në Maliq të Korçës, ka qenë njëri prej anëtarëve, i cili ka goditur sekretarin e degës pasi ky i fundit i ka hequr emrin nga lista në mënyrë që të mos votojë.
Reagimi i Bashës
Ndërkohë, lideri i PD Lulzim Basha pasi votoi në selinë e Partisë Demokratike, ku ishte ngritur qendra e votimit, ka falënderuar demokratët dhe personat që kujdesen për procesin, duke e cilësuar procesin me vlerë. Ndër të tjera, Basha tha se PD e ka nisur betejën me vlerat e demokracisë, shprehjes së lirë dhe debatit dhe me këto vlera do ta çojnë përpara partinë deri në rrëzimin e qeverisë.
“Dua të falënderoj mediat. Dua të falënderoj demokratët. Procesi i zgjedhjes është me vlerë. Janë vlerë e demokracisë, konkurrencës, debatit, këto janë vlerat tona të demokracisë të shprehjes së lirë dhe të debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe me këto vlera do ta çojmë deri në fund betejën për rrëzimin e regjimit Rama -Doshi”, – tha Basha.
Gjana rrëzon pretendimet për parregullsi
Ndërkohë, kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana u është përgjigjur akuzave të kandidatit Agron Shehaj për proces të parregullt dhe manipulim. Ai tha se procesi ishte i rregullt. Ndër të tjera, Gjana tha se përfaqësuesit në qendrat e votimit janë zëvendësuar me kërkesë të kandidatëve.
“Procesi ka vazhduar normalisht dhe i rregullt, ndërkohë ka pasur ndonjë zëvendësim të vëzhguesve të ndonjë prej kandidatëve në garë për arsye të ndryshme, probleme të tjera nuk kemi. Jemi përpjekur të mos krijojmë asnjë problem, për personat që janë vëzhgues të kandidatëve. Nëse kanë probleme me individët që i çojnë për përfaqësim, nuk u qëndrojnë apo nuk bëjnë ato që u kërkojnë kandidatët, është çështje e tyre. Nuk kemi lejuar asnjë njeri të shkelë asnjë prej rregullave dhe udhëzimeve që kemi dhënë. Më vjen keq që e kthejmë në një debat dhe një lojë politike”, – tha Gjana.
Ai tha se deri sot në mesditë pritet të nxirret rezultati se cili do jetë fituesi. Gjana theksoi se po ashtu, pritet që të vijnë edhe materialet e votimit për qendrat që janë afër.
“Do presim deri nga mesnata për dërgim e materiale për degët që janë afër, degët që janë shumë larg, Tropoja, Saranda, Kolonja, etj do i presim t’i sjellin nga orët e para të mëngjesit. Porosia është që t’i shoqërojë kryetari i komisionit dhe cilido nga përfaqësuesit e kandidatëve. Nesër paradite shpallet fituesi. Orën nuk e jap dot”, – deklaroi kreu i Komisionit Zgjedhor në PD.
Diskutime rreth kësaj post