Kandidatja për deputete e PS, Luljeta Bozo në një intervistë televizive ka folur për pranimin e ftesës së kryeministrit Edi Rama për të garuar në zgjedhje.
Bozo tha se e pranoi këtë ftesë, por me njëfarë hezitimi. Ajo u shpreh se kjo ftesë i erdhi papritur teksa kishte ende një detyrim qytetar ndaj njerëzve për tërmetin. Profesoresha tha se shumë njerëz më parë ia uronin që ajo të kishte një post drejtues, por ajo nuk ndihej e pranuar në këto gjëra. Por tani sipas saj jeta parlamentare nuk e tremb më dhe thjesht do të vazhdojë me detyra të reja.
“Thashë po. Në fakt erdhi një çik si i papritur. Nuk ishte, nuk më kishte shkuar në mendje të isha kandidate në Kuvend. E dyta edhe një çik papritur, kisha një si detyrim qytetar pas tërmetit, kam pasur një detyrim dhe falënderim nga shumë njerëz që më uronin jo vetëm falënderimin për qetësinë gjatë tërmetit, uronin të kenë njerëz si ju që të na drejtojnë. Është dëshirë e gjerë e njerëzve që s’i njoh, dhe vlerësimi shumë i madh. E pranova me njëfarë hezitimi, nuk jam pranuar me këto gjëra. Mendoj se jeta do vazhdojë me të njëjtin ritëm. Do jenë disa detyra të reja, unë punoj gjithë jetën. S’kam bërë ndonjëherë jetë parlamentare, nuk më tremb”, – tha Bozo.
Për të detyra në Parlament është një angazhim dhe përgjegjësi shumë e madhe. Bozo tha se përveç detyrave të reja që mund të ketë në Parlament, nuk do të shkëputet asnjëherë nga librat teksa deklaroi se është duke shkruar një libër teknik. Edhe pse e ka penguar pandemia, ajo u shpreh se një libër i tillë do të ndihmojë shumë inxhinierët e ndërtimit.
“Do jetë angazhimi dhe përgjegjësia më e madhe. Në Parlament s’do flasësh kodra pas bregut. Por për një grup të gjerë, probleme të njerëzve. Të shikoj cilat janë drejtimet në të cilët do zhvillohet vendi, se ajo është detyra e qeverisë. Themi për zhvillim brenda mandatit dhe një çik më larg. Të hartohen ato ligjet që njerëzit të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Nga librat nuk heq dorë. Po shkruaj një libër teknik. Kam vite që e mendoj, kam mbledhur shumë materiale. Unë jam si miu i bibliotekës, se studioj gjithë ditën. Mendoj se do jetë një ndihmë e mirë për inxhinierët e ndërtimit. Pandemia më ka munguar një çik se s’mund të shkoj në institucionet që mund të marr këto. Jemi të kufizuar. Jo vrap jo. Jam prerë, një njeri që punon gjithë ditën, gjithë kohën. Me shumë ndershmëri, shumë dashuri. Leku për mua është i fundit”, – tha Bozo.
Diskutime rreth kësaj post