Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka mbetur jashtë Kuvendit të ri. Rinumërimi i 64 kutive të qarkut të Tiranës nuk ka sjellë rezultatin e nevojshëm që PDIU të kalonte pragun e 3 për qindëshit në Tiranë për të fituar një mandat. PDIU kërkoi dje të hapen 41 kuti në Tiranë, ndërkohë që Partia Socialiste kërkoi hapjen e 23 kutive në kryeqytet. Por, nga hapja e kutive nuk u prodhua rezultati i kërkuar nga PDDIU.
Partisë së Shpëtim Idrizit i duheshin 37 vota për të kaluar pragun, por nga hapja e kutive të kërkuara nga PS, PDIU arri të shkojë deri plus 5 vota në kutitë e fundit. Nga krahasimi i tabelave të numërimit të 25 qershorit me ato të numëruara dje, më 13 korrik, rezulton se PDIU-në partitë e mëdha e kanë vjedhur me 7 vota. Nga 57 kuti të rinumëruara, rezulton se PDIU-në e kanë vjedhur me 57 vota por, në kompensim, ka manipuluar rezultatin me 52 vota në kutitë e tjera.
SKANDALI
Rinumërimi i 64 kutive të qarkut të Tiranës zbuloi një skandal të vërtetë në numërim. Pakt të fshehtë mes partive të mëdha. Nga 64 qendra votimi, rezultojnë se vetëm 7 kuti janë me të dhëna korrekte.
Pra këto shtatë kuti kanë rezultuar të jenë me të dhëna të sakta, si në paraqitjen në tabelat e numërimit, edhe në numër votash të gjetura në kuti. Por skandali i madh rezulton në 57 kutitë e tjera. Partitë e mëdha kanë vjedhur votat e partive të vogla. Dhe nga rihapja e kutive ka rezultuar se Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe vetë Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë vjedhur votat e të vegjëlve në rastin më të mirë dhe, në rastin më të keq, të njëra-tjetrës.
“HAJDUTËT”
Partia Socialiste, si forca kryesore në qeverisje nga hapja e 57 kutive të votimit, rezulton se ka vjedhur në total 85 vota. Ndërkohë që në disa qendra ka pësuar dhe vjedhje, por në shifër jo të konsiderueshme.
Nga krahasimi i tabelave të rezultatit të 25 qershorit me rezultatin e 13 korrikut, rezulton se PS-së i kanë vjedhur vetëm 16 vota nga 57 kuti. Këto vota kryesisht ia kanë nxjerrë të pavlefshme apo s’ia kanë pasqyruar korrekt në tabela.
Ndërkohë që Partia Demokratike, si forca kryesore në opozitë, rezulton të jetë bashkëfajtore në vjedhje. PD, nga krahasimi i votave në 57 qendra votimi, rezulton se ka vjedhur 77 vota, ndërkohë që ka pësuar një vjedhje nga forcat e tjera në vetëm 30 vota. Edhe në këtë rast, PD ka marrë votat e partive të vogla, kryesisht “Sfidës për Shqipërinë” apo në disa raste dhe të PDIU-së.
Por, edhe në disa qendra është goditur nga PS-ja dhe LSI-ja. Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton të ketë pasur sukses me komisionerët. Në 57 qendra votimi, LSI ka vjedhur nga partitë e vogla 80 vota, ndërkohë që nga PS dhe PD i kanë ikur rrugës vetëm 6 vota. Por rezulton partia e vetme me më shumë përfitime nga vjedhja e partive të vogla apo aleate.
RRËZIMI
KQZ rrëzoi dje me 6 vota kundër kërkesën e PDIU-së për të rihapur të gjitha kutitë e votimit të qarkut të Tiranës. KQZ e ka quajtur si të pabazuar në prova kërkesën e PDIU-së, për këtë arsye e ka rrëzuar atë. Ndërkohë që juristi i PDIU-së, Erion Manohasa, ka deklaruar se PDIU ka “begatuar pa shkak” dhe se votat i janë shtuar nga komisionerët e PS-së dhe PD-së.
“PDIU nuk pati numërues të parë dhe sekretar në grupet e numërimit. Nëse PDIU pati vota shtesë, është problematikë e dy partive kryesore, me numëruesit e tyre, PS dhe PD, sepse me këto elemente i bie që PDIU ka pasur vetëm një begatim pa shkak. S’ka pas element tjetër”, tha Manohasa. Por kreu i KQZsë, Klement Zguri, ka reaguar duke thënë: “Është aprovim i fortë ky, begatim pa shkak. Është edhe e rëndë. Po e thua publikisht. Që ke fituar padrejtësisht, pa shkak. Kjo është shumë e rëndë”.
REZULTATI I RINUMERIMIT
U hapën në total 64 kuti votimi
Vetëm 7 kuti rezultuan korrekte
PS ka vjedhur 85 vota në 57 kuti
PS-në e kanë vjedhur me 16 vota në 57 kuti
PD ka vjedhur 77 vota në 57 kuti
PD-në e kanë vjedhur 30 vota në 57 kuti
LSI ka vjedhur 80 vota në 57 kuti
LSI-në e kanë vjedhur 6 vota në 57 kuti
PDIU ka vjedhur 52 vota në 57 kuti
PDIU-në e kanë vjedhur 57 vota në 57 kuti
Diskutime rreth kësaj post