Udhëheqësit e Turqisë po ndjekin nga afër zgjedhjet gjermane të 26 shtatorit që do të shënojnë fundin e qëndrimit të gjatë në detyrë të kancelares Angela Merkel. Zonja Merkel ka ruajtur një marrëdhënie të fortë pune me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në një kohë kur lidhjet e tij me udhëheqësit e tjerë perëndimorë janë tensionuar për disa çështje, përfshirë emigracionin. Njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones.
Zgjerimi i shpejtë i universitetit turko-gjerman të Stambollit është një nga shenjat më të dukshme të lulëzimit të marrëdhënieve mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
“Ata kanë krijuar një marrëdhënie; kjo është pjesa më e rëndësishme, sepse nuk është e lehtë të krijosh një marrëdhënie me Erdoganin, dhe ata e bënë këtë. Dhe unë mendoj se është marrëdhënia më e mirë e punës që Turqia ka në marrëdhëniet e saj të jashtme për momentin“, – i tha Zërit të Amerikës, Sezin Oney, gazetare me portalin e lajmeve Duvar.
Ishte marrëveshja e refugjatëve e vitit 2016 mes Ankarasë dhe Bashkimit Evropian, në bazë të së cilës Turqia priti miliona refugjatë sirianë në këmbim të miliarda dollarëve ndihmë; një marrëveshje që uli në tryezë zotin Erdogan dhe zonjën Merkel.
“Ishte shumë e qartë që Merkel ishte ajo që do të kërkonte të fliste me Erdoganin. Pra, ishte një moment shumë vendimtar. Siç e shohim sot, evropianët në thelb donin t’i mbanin refugjatët sa më shumë që të mundeshin larg Evropës“, – thotë Zeynep Alemdag, nga Universiteti Okan i Stambollit.
Por kritikët e quajnë marrëveshjen e refugjatëve një marrëveshje jo të pastër. Ata pretendojnë se vendosmëria e zonjës Merkel për të mbajtur gjallë marrëveshjen, e bëri atë të ushtronte rolin e saj udhëheqës në Evropë për të zbutur kritikat ndaj përkeqësimit të të drejtave të njeriut në Turqi.
“Kjo do të jetë trashëgimia e saj, domethënë se ajo hezitoi në mbrojtjen e asaj që ata pretendojnë se janë vlerat e BE-së, demokracinë, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes, për hir të mbrojtjes dhe ruajtjes së marrëveshjes së refugjatëve me Turqinë“, – thotë Sinan Ulgen, nga Qendra për Studime të Ekonomisë dhe Politikës së Jashtme.
Berlini thotë se nuk ka reshtur së ngrituri shqetësimet për të drejtat e njeriut me Turqinë, por thotë se e bën këtë në prapaskenë.
Me zgjedhjet gjermane që i japin fund epokës së zonjës Merkel, analistët parashikojnë se Ankaraja do të humbasë kancelaren gjermane dhe atë që shumë këtu e shohin si mbrojtjen që ajo i jep brenda Bashkimit Evropian.
“Në këtë kuptim, Merkel ishte si një nënë për Turqinë. Kështu që tani, politika e jashtme e Ankarasë, për sa i përket Evropës, duhet të jetë e pjekur dhe të kujdeset për veten, sepse nuk do të ketë një Merkel për të rregulluar gjërat prapa skenave“, – i tha Zërit të Amerikës zonja Oney.
Largimi i zonjës Merkel do të thotë se zoti Erdogan do të përballet me një epokë të re të marrëdhënieve diplomatike që mund të jetë më e trazuar, jo vetëm me Gjermaninë, por edhe më gjerë me Bashkimin Evropian.
Diskutime rreth kësaj post