Ish-kryeministri teksa ka komentuar largimet e bujshme të Ervin Salianjit, Romeo Gurakuqit, Luan Baçit dhe të disa ish-deputetëve, ka lënë jashtë loje komisionin e vlerësimit të kandidatëve në Partinë Demokratike,
Berisha tha se komisioni është në ngarkim të kryetarit të PD-së dhe kryesisë, ndërsa theksoi se nuk operon dot jashtë gabimeve.
Ai deklaroi në emisionin “Hard Talk” se fjala përfundimtare apo lista përfundimtare e deputetëve të PD është pa asnjë mëdyshje vepër e kryesisë së PD, kryetarit dhe Këshillit Kombëtar të saj.
“Unë kam një vlerësim të padiskutueshëm për procesin dhe për punën e bërë deri më sot. Rikujtoj këtu se ky proces i cili më parë bëhej nëpërmjet aktiveve të PD. Komisioni i ngarkuar nga kryetari apo Kryesia e PD ka marrë në shqyrtim 1600 propozime. Kjo tregon shkallën e lartë të besimit që ekziston në potencialin e madh që PD disponon sepse nga kjo shumësi ka prej tyre personalitete te PD, aktivistë të saj, por edhe personalitete që vijnë nga shoqëria civile. Komisioni i përzgjedhjes çfarëdo që të bënte në vlerësimin tim nuk mund të dilte jashtë teorisë së gabimit.
Asnjë instancë, asnjë forum, nuk operon dot jashtë gabimeve. Por në tërësinë e vet ai ka bërë një punë të admirueshme. Ka një gjë themelore për çdo forcë politike. Ka një kriter që ai është gjithmonë kriteri i drejtimit të partisë politike. I organeve drejtuese të partisë politike. Ky është kriteri politik. Në këtë kontekst natyrisht fjalën përfundimtare apo listën përfundimtare të deputetëve të PD është pa asnjë mëdyshje vepër e kryesisë së PD, kryetarit dhe Këshillit Kombëtar të saj. Në vendin ku primare janë më të konsoliduara se kudo tjetër në fund pastaj, voton konventa për kandidatin përkatës të partisë të dhënë. Dhe në konventë mund të paraqiten dy kandidatë dhe ai që merr vota më shumë zgjidhet si kandidat kryesor”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post