Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Ai ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit që mbajti Presidenti Ilir Meta për shkarkimin e tij të nisur nga shumica socialiste në parlament.
Ngjela tha se Presidenti nuk mund të vërë në diskutim ligjshmërinë e procesit apo legjitimitetin kushtetues të Kuvendit, pasi këtë gjë e ka në kompetencë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ai ironizoi se kompetencat e Presidentit janë vetëm formale dhe ai nuk mund të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese.
“Karakterin normal ose jo të një akti juridik, është apo jo në frymën e Kushtetutës e ka Gjykata Kushtetuese jo Presidenti […] do të ishte shumë i saktë nëse do të thoshte të presim Gjykatën dhe unë do të mbrohem në Gjykatë, kjo do të ishte normale për një President, por ne s’e dëgjuam të fliste kështu”, tha Ngjela për Euro News Albania.
“Atje mund t’i paraqesë dyshimet, provat, apo logjikën juridike se nuk ka bërë shkelje”, vijoi avokati.
Sipas Ngjelës shkeljet e pretenduara nga shumica socialiste duhet të dërgohen më pas në Gjykatën Kushtetuese për t’u shqyrtuar njëherë e mirë pasi “shkeljet e rënda duan si arsyetim vetëm arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Parlamenti është politik dhe nuk ka ndonjë përgjegjësi të madhe juridike,” – tha Ngjela.
“Herën e parë shumica socialiste nuk e kaloi në parlament pushimin [e Presidentit], këtë herë kam përshtypjen do ta kalojë, por nëse vendimin e shumicës e rrëzon më pas Gjykata Kushtetuese do jetë një vendim i rëndë për ta.”
Ngjela i pyetur nëse përbëjnë shkelje vetëm deklaratat e Presidentit, ai u përgjigj se “Presidenti mund të veprojë me deklarata, jo me ushtri”. Ngjela kujtoi se Presidenti ka bërë thirrje për dhunë.
Diskutime rreth kësaj post