Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka zhvilluar një takim me demokratët në qarkun e Vlorës. Ai u shpreh se nëse demokratët duan që nesër të rrëzojnë kryeministrin Edi Rama, duhet zgjedhur një lidership i ri për PD.
Shehaj tha se humbja e tyre në zgjedhjet e 25 prillit nuk erdhi vetëm nga shitblerja e votës, por edhe nga gabime të PD. Ai u shpreh se PD ka nevojë të rregullojë gabimet brenda saj ku mënyra e vetme sipas tij është reformimi i thellë.
“Kryetari i partisë duhet të lidhë fatin me fitoren, nëse nuk fiton duhet të japë dorëheqjen dhe të tërhiqet, të tërhiqet dhe të mos kandidojë më. Nëse fiton, qëndron, nëse nuk fiton, ikën! Ka ardhur dita të ndryshojmë lidershipin e PD, që nesër të rrëzojmë Ramën. Po kërkohet të thuhet që nuk humbëm, duke thënë që arsyeja pse humbëm është masakra zgjedhore, është koha të themi të vërtetën në sy, rezultati i zgjedhjeve është ky, nuk mund të ndryshojë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është që në zgjedhjet e reja të jemi më të fortë, nuk mund të futemi në Parlament nëse do të themi që u vodhën votat, nuk duhet të ishin bërë shumë prej gabimeve, ose rregullojmë problemet, ose nuk duhet të futemi në Parlament, ose njërën ose tjetrën. Unë mendoj që PD ka nevojë për një reformim të thellë”, – tha Shehaj.
Ndërkohë edhe kandidatja nga grupi “Për PD” Edith Harxhi gjatë një takimi në Korçë u shpreh se gara është në kushte të pabarabarta dhe e padrejtë. Ajo tha se pavarësisht parregullsive në proces, ajo do të vazhdojë betejën për reformim të thellë mbi idealet e vitit 1990. Sipas saj PD ka nevojë për decentralizim dhe reformim të thellë që të hapet drejt rinisë.
“Gara është e pabarabartë jemi të gjithë të penalizuar, përveç kryetarit të partisë. Por pavarësisht kësaj gare, e cila është e pabarabartë dhe e padrejtë në të njëjtën kohë, unë do të vazhdoj deri në fund. Pavarësisht mungesës së listave, komisionerëve, anëtarëve të komisionit unë do të vazhdoj pasi kërkoj reformimin e thellë të partisë dhe ringritjen e saj mbi idealet e ‘90-s. Nëse nuk bashkohemi dhe hapemi drejt rinisë, kemi humbur struktura gjatë gjithë këtyre viteve, PD ka lëvizur nga shinat e saj ideologjike. PD duhet të decentralizohet, duhet të ketë një hapje dhe një bashkim”, – u shpreh Harxhi.
Diskutime rreth kësaj post