Kryeministri Edi Rama në një dalje ‘live’ në Facebook ka dhënë detaje mbi paketën e zgjeruar. Rama u shpreh se edhe ata që janë punësuar në kopshtet private, do të përfitojnë nga ndihmat dhe paketa e qeverisë.
“Nëse bëhet fjalë për kopshtet private dhe për shkurtimin apo mbetje pa punë të atyre që janë në kopshte përfshihen. Patjetër që përfshiheni,”– tha Rama.
Ndërkohë teka iu përgjigj pyetjeve të shqiptarëve për paketën e dytë që është prezantuar, Rama shpjegoi se lokalet dhe restorantet janë të fundit që do të hapen pas kësaj epidemie të Covid-19.
“Kështu e ka kjo punë, më vjen shumë keq. Ne po përgatisim programin e hapjes dalë ngadalë. Gjithçka do të bëhet në mënyrë strikte dhe sipas punës. Duke parë edhe vendet e tjera, asnjë vend nuk ka folur për hapjet që fillojnë me baret apo restorantet. Janë të fundit që do hapen. Më vjen keq por është e pamundur,” – shtoi kryeministri më tej.
Ndërsa pyetjes së atyre që janë në fshat dhe duan të dalin për punë, me makinën e tyre në qytet, Rama iu përgjigj se mund të lëvizin me autorizim dhe se tashmë do të jetë më e thejshtë marrja e tyre.
“Nëse ju keni punë në qytet dhe do shkoni me automjet patjetër, por do merrni në autorizim dhe autorizimet janë shumë më të thjeshta tani, që lirojnë pak lëvizjen me automjete. E di, jam i vetëdijshëm që kanë qenë shumë të shtrënguara, por kjo është vetëm për të garantuar atë që në fakt kush do ta shikojë e shikon sot, rezultatin e këtyre masave, e jo për diktaturë.
Do ta çojmë kurbën në zero, sigurisht që hallet ekonomike janë të mëdha. Shumë prej jush thonë që do vdesim për bukë se koronavirusi nuk na bën gjë. Jo, ne koronavirusi na luan fenë, siç ua bëri shumë të tjerëve, por s’na ka gjetur gjë sepse jemi mbrojtur. Dhe gjëmën e kemi shmangur. Për bukë në republikën e Shqipërisë, që nga koha e Skënderbeut, meqë disa prej jush kanë qejf të bëjnë dhe ironi, nuk ka vdekur kush.
Në këtë vend ka solidaritet dhe ndihmë. Në këtë vend po ndihmohen sot njerëzit më në nevojë, siç nuk është menduar se do të ndihmoheshin më parë. Kanë kaluar 200 mijëshin, rastet e operacioneve humanitare dhe jo me një shishe vaj e një pako makarona. Por me pako të plotë, edhe ata me ndihmë ekonomike, e kanë marrë dyfish. Unë ju kuptoj, por s’mund të hidhni poshtë sakrificat e atyre që edhe në këtë moment po trokasin në dyer për ndihma ushqimore dhe ilaçe. Është jo dinjitoze. Edhe studentët nuk do të mbeten pas. Ata që gënjejnë veten se tani mund të dalin dhe të na hedhin jashtë, duke na çuar kot të gjithë këto masa që kemi marrë,”– deklaroi kryeministri.
Diskutime rreth kësaj post