Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi janë fotografuar krah kryepeshkopit Anastas Janullatos në festën e Krishtlindjes.
Kryemadhi ka mbështetur plotësisht vendimin e bashkëshortit të saj President për dhënien e nënshtetësisë shqiptare kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në nja deklaratë për mediat, nga Kisha ortodokse, ku Kryemadhi uroi të gjithë besimtarët, tha se Janullatos e do më shumë Shqipërinë sesa e kanë dashur ndonjëherë politikanët shqiptarë.
“Sigurisht që jam dakord. Mos harrojmë që është një nga vendimet më të vonuara që bën politika shqiptare. Kam përshtypjen se Janullatos e do më shumë Shqipërinë seç e ka dashur ndonjëherë politika shqiptare”, u shpreh Kryemadhi.
Nga ana e tij, Ruçi përveç urimit për të gjithë besimtarët kishte edhe një mesazh për politikanët. Ai kërkoi nga ata më shumë maturi dhe luajalitet. Po ashtu Ruçi tha se e ka uruar Janullatos për nënshtetësinë shqiptare, që iu dha nga Presidenti Ilir Meta.
“Të gjithë besimtarëve të krishtërë i uroj Gëzuar Krishtlindjet. Po kështu të gjithë shqiptarëve do ti uroja që viti 2018 të jetë një vit i begatë, i dashurisë, mirësisë, solidaritetit dhe i shpresës dhe gjithë politikanëve do ti uroja më shumë luajalitet dhe më shumë maturi”, tha Ruçi.
Ndërsa i pyetur se si e vlerëson vendimin e Metës për shtetësinë e Janullatos, Ruçi tha: “Unë jam këtu për ta uruar hirësinë Janullatos, dy urime bashkë, e para Krishtlindjet dhe e dyta ta gëzojë shtetësinë shqiptare”.
Një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha nënshtetësinë Anastas Janullatos, një vendim i cili është përshëndetur nga të gjithë politikanët.
Diskutime rreth kësaj post