Kryeministri Edi Rama, nën cilësinë e kryesursit të OSBE-së i ka dërguar një letër Presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Në letrën e firmosur nga Rama dhe ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, vendi i së cilës do të mbajë presidencën e ardhshme të OSBE-së, theksohet edhe njëherë oferta për ndërmjetësimin e dialogut në Bjellorusi, ku vendi është përfshirë nga protestat e shumta.
“Bjellorusia është një shtet i rëndësishëm pjesëmarrës i organizatës sonë dhe jemi të gatshëm ta zgjerojmë mbështetjen për të”, thuhet në letër.
Ndërkohë që për të përforcuar dëshirën e vizitës në Bjellorusi, dy ditë më përpara me 21 gusht, ambasada ruse në Tiranë konfirmoi bisedën telefonike të kryeministrit Rama me ministrin e jashtëm rus Lavrov, për krizën politike në Bjellorusi.
Në njoftim thuhet se biseda u zhvillua me iniciativën e palës shqiptare midis ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama.
Gjatë bisedës ministri Lavrov ka vënë në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë.
“Më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama.
Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës. Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014.
Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës Ruse.
Diskutime rreth kësaj post