Teksa pritet një reformim i thellë i Partisë Demokratike, duket se nuk do të mungojnë as spastrimet. Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha të alarmuar nga ky fakt, kanë shpërthyer në kritika ndaj ndryshimeve statuore. Ish-kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi në një interviste televizive akuzoi Bashën se po përpiqet të kontrollojë Këshillin Kombëtar duke cenuar atë pak pavarësi që kishte deri më tani.
“Zoti Basha i ka propozuar këto si risi. Përkundrazi, ky është një kthim mbrapa i PD-së duke qenë se kryetari Basha kërkon të kontrollojë përfundimisht Këshillin Kombëtar, i cili deri tani kishte një lloj pavarësie deri diku”, – tha ajo.
Po ashtu Harxhi u shpreh se Basha po spastron kritikët që nuk i kanë qëndruar atij besnikë.
“Kjo do të jetë fshesa e radhës, pastrimi i radhës, spastrimi i radhës në PD për arsye sepse kjo bëhet për të larguar nga partia ata që nuk janë besnikë të kryetarit. Duhet të kemi parasysh diçka që në vitin 2017 unë kam dalë me një set propozimesh për ndryshime në PD. Madje unë kam propozuar një statut të ri. Nuk është marrë parasysh edhe gjatë diskutimeve që janë bërë në Këshillin Kombëtar”, – u shpreh Edith Harxhi.
Nga ana tjetër edhe kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani ka akuzuar liderin demokrat se është duke e personalizuar partinë e duke e kthyer në një zyrë të tij. Nishani tha se Basha në vend që të mendonte një rrugë a mënyrë për ringritjen e PD, vetëm ka shfrytëzuar pushtetin në krye të partisë.
“Jemi në një fushatë kur PD po kthehet në një zyrë private dhe personale të Bashës. Basha nuk është fokusuar tek mënyra se si ta zgjerojë dhe ta rrisë PD, por e ka shfrytëzuar të gjithë pushtetin për ta shndërruar atë parti në zyrë personale private”, – tha Nishani.
Ndërkohë mbështetësit e Berishës kanë paralajmëruar se ish-kryeministri do të mbajë fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar. Kujtojmë se në Kuvend, do të votohen anëtarët e Këshillit ku më të rrezikuar për t’u hequr janë mbështetësit e ish-kryeministrit.
Diskutime rreth kësaj post