Ashtu siç gazeta e ka paralajmëruar edhe pak ditë më parë, kundërshtarët dhe kritikët më të mëdhenj të kryedemokratit Lulzim Basha, pritet të bëhen bashkë për të sfiduar atë dhe partitë e tjera politike si PS dhe LSI.
Sinjalin e ka dhënë ditën e djeshme koordinatori i Bindjes Demokratike, i cili gjatë një interviste për mediat ka folur për alternativën që së bashku me anëtarët e tjerë synojnë t’i ofrojnë Shqipërisë. Në këtë kontekst, Patozi zbuloi se ai dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të jenë në listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit. Dhe për këtë koordinatori i BD theksoi se e vetmja mënyrë që lejon Kodi Elektoral është një listë e përbashkët.
“Ne synojmë të jemi alternativë e tretë për Shqipërinë dhe mundësisht të kemi një koalicion opozitar ku të bashkojë parti dhe lëvizje të ngjashme të cilët kanë si objektiv jo thjesht rotacionin e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit dhe Edi Ramës, por ndryshimin e politikëbërjes në Shqipëri. Ne mendojmë që kjo është një nevojë e shoqërisë shqiptare dhe nuk është vetëm ambicia politike e disa personave dhe duke qenë e tillë ne mendojnë se do jemi një forcë qeverisë përcaktuese, ky është objektivi ynë. Nuk na ndan asgjë. Kemi të drejtën e botës që të ruajmë nuancat dhe profilin që secili ka. Ne na bashkon një gjë e madhe. Kauza jonë e përbashkët është ndryshimi i politikëbërjes në Shqipëri.
Kemi të përbashkët dhe llogaritë elektorale, sepse Kodi Elektoral është i tillë që penalizon partitë e reja. Ne në përgjigje të këtij kodi, i cili është bërë qëllimisht nga partitë e vjetra, për të mos lejuar që në fushë të futen dhe lojtarë të rinj, ne e kemi detyrim të bashkojmë forcat dhe t’i lëmë vetëm ata. Pra dy blloqet politike, PS në pushtet dhe nga ana tjetër PD dhe LSI. Ne nuk kemi asnjë mënyrë tjetër për të garuar në zgjedhje. E vetmja formë që lejon Kodi Elektoral është një listë e përbashkët, në do të prezantohemi më shumë si frymë sesa si forcë elektorale. Në ndryshim nga partitë e vjetra do i vendosim gjerat me kolegjialitet. Do ulemi brenda partive tona në radhë të parë, por pastaj dhe me njëri-tjetrin që të maksimizojmë fuqinë tonë elektorale në çdo qark”, deklaroi ai.
Ndërkohë Patozi përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me PD dhe shtoi se me këtë parti është ndarë në koncept. “Ne nuk mund të kemi aleancë parazgjedhore me partitë e vjetra, të cilët sipas nesh janë autorët ose bashkëpërgjegjësit e krizës politike në Shqipëri. Ne me PD jemi ndarë në koncept”, nënvizoi Patozi.
Diskutime rreth kësaj post