Kreu i partisë ‘Zgjidhja’ Koço Kokëdhima shprehet se arrestimet nga hetimi i dosjes ‘339’ e zgjedhjeve parlamentare në Durrës tregoi që partitë e vjetra ishin dhe janë bashkë.
Ai tha se nëse hapen listat, kryetarët e korrupsionit njëherësh të tri partive të vjetra do të bien.
“Këmbëngulja e Ramës që më 30 korrik, me deputetët e emëruar, të votojë ‘hapjen’ e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë, ku sërish vendosin kryetarët e partive, tregon frikën personale për t’u përballur me votën popullore.
Partitë e vjetra ishin dhe janë bashkë në çdo maskaradë zgjedhore, siç tregoi sot edhe një grimcë nga dosja ‘339’ e zgjedhjeve parlamentare në Durrës, ku komisionerët e PS, PD, LSI dhe PR, votuan në emër të emigrantëve për thesin e votave që kërkonin kryetarët.
Listat e hapura 100 për qind, e drejta për të zgjedhur, do t’i jepnin mundësinë Sovranit që të votonte vajzat dhe djemtë më të mirë dhe do t’i nxirrte jashtë politikës kryetarët e partive të shndërruara në banda kriminale, si përgjegjëse të shkatërrimit të vendit.
Prandaj liderët e PS, PD dhe LSI, përtej betejës verbale që bëjnë për t’u shplarë trutë militantëve, nuk kanë ndërmend të rikthejnë liritë e rrëmbyera me pazaret okulte të nisura 12 vite më parë dhe që vazhdojnë ende me lojën e ‘reformës zgjedhore’.
Premtimet nga këta pengmarrës të lirive se po bëjnë demokratizimin e sistemit politik dhe të zgjedhjeve, duke mbajtur në këmbë paktin famëkeq Berisha-Rama të 21 prillit 2008 dhe pushtetin absolut të kryetarëve janë vetëm vazhdim i lëngatës për demokracinë shqiptare. Ata nuk mund t’i hapin listat me dëshirë. Ata nuk do t’i hapin listat. Nëse hapen listat, kryetarët e korrupsionit njëherësh të tri partive të vjetra do të bien”, shkruan Koço Kokëdhima.
Diskutime rreth kësaj post