Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima ka reaguar pas mbledhjes së djeshme të ekspertëve të ODIHR-it me anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kokëdhima e cilësoi lajm të mirë vendimin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në Varshavë që të dërgojë dy ekspertë me kohë të plotë në Tiranë, derisa të përmbyllet reforma zgjedhore, por një lajm të keq takimin e tyre të parë dje, vetëm me katër përfaqësues politikë shqiptarë.
Reagimi i Kokëdhimës
Vendimi i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në Varshavë që të dërgojë dy ekspertë me kohë të plotë në Tiranë, derisa të përmbyllet reforma zgjedhore është një lajm i mirë për Shqipërinë.
Por, takimi i parë dje, vetëm me katër përfaqësues politikë shqiptarë dhe në terr të plotë informativ, është një lajm i keq.
‘Zgjidhja’ kë kërkuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët politikë dhe grupet e interesit, transparente me publikun, që përmbush të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që udhëhiqet prej tyre.
ODIHR-i duhet ta ndihmojë popullin shqiptar të demokratizojë zgjedhjet dhe Shqipërinë, duke respektuar parimin themelor kushtetues të tyre si të drejta dhe të barabarta.
‘Zgjidhja’ i bën sërish thirrje Prezencës së OSBE-së dhe ekspertëve të ODIHR-it që të mos kenë kusht përmbylljen e reformës zgjedhore deri në fund të marsit, por realizimin e një reforme të thellë dhe të plotë, e cila të përfshijë domosdoshmërisht rekomandimet e tyre, si kusht për zgjedhje të lira dhe të barabarta, të çliruara nga thonjtë e partive të vjetra anëtare të Komisionit tripartiak të Reformës Zgjedhore.
Diskutime rreth kësaj post