Klima e tensionuar politike në vend ka alarmuar edhe ndërkombëtarët. Vrasja e një qytetari në Elbasan dhe plagosja e 4 të tjerëve tregon qartë gjendjen e politikës para zgjedhjeve. Për këtë arsye Ambasada Amerikane ka dalë dje me një ultimatum të prerë për të gjitha palët në vend përfshirë dhe presidentin Ilir Meta.
Në njoftim, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka kërkuar nga palët politike vetëpërmbajtje teksa çështja është duke u hetuar. Ajo është shprehur se ata që janë në pushtet dhe ata që po e kërkojnë atë duhet të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada po ashtu ka kërkuar nga zyrtarët e zbatimit të ligjit hetim të shpejtë për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen. Ambasadorja Kim i ka kërkuar presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit, ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, – thuhet në njoftim.
Reagon ambasada e BE
Për konfliktin me armë në Elbasan, reagoi edhe Ambasada e Bashkimit Europian. Ambasada u shpreh në njoftimin e saj se ky akt i dhunshëm duhet hetuar menjëherë nga autoritetet dhe duhet qartësuar në lidhje me ecurinë. Ambasada e BE gjithashtu bëri kërkesë për përmbajtje teksa u shpreh se duhet shmangur dhuna e retorika e urrejtjes.
“Akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhet të bëhet qartësi në lidhje me përgjegjësitë dhe të ndiqet në tërësi. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës inflamatore dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”, – deklaroi ambasada e BE.
Ambasadori gjerman flet për zgjedhjet
Ndërkohë ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në një intervistë televizive foli për pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit dhe ecurinë e reformave. Zingraf u shpreh se krijimi i strukturave për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thelbësore në ecurinë e reformave. Ai tha se shqiptarët presin zgjedhje të lira dhe kandidatë të pastër. Zingraf iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që në 25 prill të shkojnë të votojnë.
“Plotësimi i vendeve të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese në dhjetorin e kaluar si dhe në Gjykatën e Lartë në muajin mars të këtij viti, ishin hapa krejtësisht vendimtarë për reformën në drejtësi. Edhe krijimi i strukturave për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është i një rëndësie të veçantë. Është thelbësore që Shqipëria të vijojë procesin e saj të reformave me vendosmëri. Po ashtu edhe procesi i dekriminalizimit është i rëndësishëm, shqiptarët presin me të drejtë kandidatë të pastër. Shqipëria pret tani zgjedhje të lira dhe paqësore. Njëkohësisht dëshiroj t’i bëj thirrje çdo qytetari të shfrytëzojë të drejtën dhe të shkojë të votojë”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post