Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, teksa paralajmëroi se do të merren masa ndëshkuese për kontrollorët nëse nuk kthehen në vendin e punës, foli edhe për planin që po përgatitet për rihapjen e aeroportit të Rinasit.
Në një konferencë për media nga Aeroporti i Rinasit, pas takimit me kontrollorët, ku nuk u arrit një marrëveshje, Balluku tha se pavarësisht negociatave, në tavolinë pati njerëz që në mënyrë të paprecedentë nuk pranonin zgjidhje.
“Ka pasur negociata, janë ulur në tavolinë, kanë dëgjuar nga drejtori se kush ishte skenari për ta zgjidhur këtë ngërç financiar kaq të rëndësishëm për ta. Megjithatë, me gjithë këto negociata, me një mënyrë të paprecedentë, pashë njerëz sot në tavolinë që nuk pranonin zgjidhje. Është një situatë që futet në cenimin e sigurisë kombëtare dhe cenimin e të drejtës së lëvizjes së shqiptarëve. Do të ketë marrje masash nga ana e shtetit shqiptar, do të ketë dhe ndëshkim. Duhet të vazhdojnë punën, për të cilën janë paguar prej vitesh”, – tha Balluku.
Më tej, ministrja tha se ka një plan për rihapjen e Aeroportit të Rinasit, teksa u shpreh se pagat e kontrollorëve janë ulur më pak se të administratës dhe drejtorëve, pavarësisht situatës së pandemisë
“Fluturimet janë bllokuar, pasi është deklaruar paaftësi nga kontrollorët. Fluturimet në Aeroportin e Rinasit janë bllokuar, prej disa orësh. Kemi një plan për rihapjen, që po laborohet, por nuk do të bëhet publik, përveç datës dhe orës, kur do të rihapen. Sa iu përket pagave, të parët që janë prekur nga pandemia ka qenë administrata, pagat e të cilëve janë ulur deri në 80%, ashtu sic janë ulur edhe pagat e drejtorëve, më shumë se pagat e kontrollorëve”, – shtoi ministrja.
Diskutime rreth kësaj post