Avokat Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri dhe në Kosovë. I pyetur në lidhje me kërkesën e numrit 2 të PS, Taulant Ballës për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty, Ngjela u shpreh i prerë se nuk ka lidhje juridike midis raportit të tij dhe parlamentit shqiptar
“Është budallallëk, sepse nuk ka lidhje juridike midis raportit të tij dhe parlamentit shqiptar. Ka një prishje të ekuilibrit të Ramës në lidhje me Thaçin, e cila krijon pikëpyetje, sepse Thaçi ka qenë për ndërrimin e territoreve. Për të mos t’i hyrë dyshimeve pa prova, këtë çështje duhet ta analizojmë vetëm me karakter politik. Në funksion të kësaj, kemi të drejtë kur themi që politika Thaçi, dhe pas saj, politika Rama për marrëdhënien Kosovë – Serbi është e vjetër dhe pa kuptim në sensin pozitiv, në lidhje me botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Shenjat janë që, ardhja e Biden në pushtet si president i SHBA-së, ka çorientuar shumë Beogradin dhe Moskën. Po shqiptarët, çfarë kanë? Kuptohet se kanë merakun e Thaçit, në një kohë që Thaçi do shkojë në një gjykatë ndërkombëtare. Pyetja që ngrihet këtu është: kush ja ka bërë denoncimin Thaçit dhe krerëve të tjerë të UÇK-së për vrasje në formë terroriste? Ne e dimë ndërkohë që e kanë bërë shqiptarët, por, në funksion të Beogradit, mos e neglizhoni që mund të na dalë edhe ndërrimi i territoreve. E ku hyn Dick Marty-n këtu? Askund. Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor do ta ketë në ndihmë Gjykatën Speciale të Hagës, edhe nëse jep fajësi për Thaçin dhe të tjerët, edhe nëse jep pafajësi për ta.
Të dyja rastet janë në favor të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kurrë mos u shqetësoni për një vendim gjykate, pa u dhënë ende nga vetë gjykata. Vendim gjykate, profesionalisht, do të thotë vendim i mbështetur në prova. Kjo është arsyeja që një mendje e rregullt brenda karakterit shtetëror duhet të presë provat, dhe pastaj të diskutojë.”, – shprehet Ngjela për ‘Fjala’.
Diskutime rreth kësaj post