Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku akuzoi dje qeverinë se mori borxhe jo për të përballuar krizën por për të mbuluar detyrimet e prapambetura që kishte krijuar në këto 7 vite.
Gjatë një deklarate publike ditën e djeshme Tabaku tha se, gjatë qeverisjes së saj Partia Socialiste rriti në 72 miliardë lekë detyrimet e prapambetura, duke mashtruar qytetarët se do vijnë në pushtet për t’i eliminuar ato. Sipas saj, qeveria po vazhdon të rrisë borxhin publik dhe do ta shlyejë atë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Erdhën në pushtet me premtimin se do zerojnë “Detyrimet e prapambetura” dhe i çuan me 620 milionë Euro. Morën kredi dhe rritën borxhin publik me premtimin se do të zerojnë Detyrimet e prapambetura. Detyrimet e prapambetura sot janë 72.3 miliardë lekë ose 620 milionë euro dhe janë kosto në kurriz të shqiptarëve që paguajnë taksat më të larta në rajon dhe kanë konsumin e ulët në rajon”, deklaroi ajo.
Ndër të tjera, Tabaku akuzoi qeverinë se ka dëbuar qytetarë të thjeshtë që e kanë të pamundur të paguajnë për shërbimet bazë, ndërsa nga ana tjetër u dhanë miliona lekë kompanive koncesionare që në fakt nuk kanë bërë as punën që u detyrohen.
“Burgosen qytetarë sepse nuk kishin paguar detyrimet karshi shtetit ndërkohë që nuk paguajnë detyrimet ndaj të tretëve. Gënjyen, mashtruan dhe plaçkitën buxhetin e qytetarëve duke u lënë peshqesh të njëjtën shumë të detyrimeve të prapambetura që vetë u zotuan se do ta zërojnë. Rritën borxhin e fshehur pa bërë asnjë km rrugë, pa ndërtuar një shkollë të re, dhanë çdo gjë me koncesion e PPP”, u shpreh ajo.
Ndërsa tregoi se tashmë qeveria po abuzon edhe me ata familjarë të cilët po përballen me luftën kundër koronavirusit, Tabaku tha se më 25 prill të gjitha të vërtetat do të zbulohen dhe kjo qeverisje do të marrë fund. “Janë litar në qafë për familjarët që po shpenzojnë çdo gjë për t’u shëruar nga koronavirus ndërsa shteti është i sëmurë nga pangopësia dhe korrupsioni. Më 25 prill gënjeshtarëve do t’u tregohet vendi nga shqiptarët taksat e të cilëve u vodhën dhe keqpërdorën sa në PPP aq edhe në tendera”, – theksoi ish-deputetja Tabaku.
Diskutime rreth kësaj post