Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka përshëndetur përzemërsisht vendimin e Presidentit Ilir Meta për t’i dhënë më në fund nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Kotzias ka reaguar në rrjetin social duke shprehur mirënjohje për këtë akt si dhe duke vënë në dukje se nënshtetësia shqiptare për Janullatos është një njohje që i bëhet punës së tij humanitare dhe forcimit të besimit mes popullit shqiptar dhe atij grek.
“Unë e mirëpres dhënien e shtetësisë shqiptare për kryepeshkopin shqiptar Anastasios, një njeri i mençur, nga Presidenti Meta. Kjo është njohje e punës së tij të thellë humanitare dhe forcimit të besimit midis popujve tanë”– shkruan Kotzias.
Kryepeshkopi Janullatos qëndron në krye të Kishtës Ortodokse të Shqipërisë prej 25 vitesh, por dosja për nënshtetësinë e tij shqiptare ka qëndruar në tavolinën e Presidencës shqiptare prej mëse 20 vitesh. Kujtojmë se 5 Presidentë (Berisha, Mejdani, Moisiu, Topi dhe Nishani) nuk i kanë akorduar nënshtetësinë shqiptare Janullatosit.
Kujtojmë se dy ditë më parë vetë Anastas Janullatos do të shprehej se pasuesi i tij në krye të Kishës Ortodokse shqiptare do të jetë një shqiptar.
Më poshtë statusi i Presidentit Ilir Meta, këtë të dielë:
Të dashur miq! Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos.
Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë.
Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë.
Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!
Diskutime rreth kësaj post