Report Tv ka zbardhur dëshminë e parë të gjyqtarit Shkëlqim Miri pas ndalimit nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gjyqtari mësohet se ka thënë se vetëm një pjesë e parave, rreth 3 mln lekë nga 300 milionë lekë që iu gjetën në banesë, ndërsa pjesa tjetër ishte e një të afërmi të tij, i cili do të blinte një pronë në Tiranë. “Rreth 3 milionë lekë janë të miat, pjesa tjetër të një të afërmi i cili mi kishte lënë sepse do blinte një pronë të Tiranë. Kursimet i kisha nga pagat dhe i mbaja në shtëpi”, mësohet të jetë shprehur gjyqtari.
Nga kontrolli i banesës Mirit iu gjetën dhe u sekuestruan 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë. Gjyqtari pritet që të merret në pyetje nga prokurori Klodjan Braho në prani të avokatit Ardian Visha. Miri akuzohet se i mori 20 mijë euro Gentian Dodës për të ndryshuar akuzën nga vrasje në plagosje duke e liruar nga burgu. Ndërsa pas hetimeve disa mujore u krye kontrolli i banesës ku u gjetën dhe u sekuestruan rreth 34 milionë lekë.
Në momentin e kontrollit, në banesë kanë qënë edhe familjarë të gjyqtarit, të cilët janë tronditur nga hyrja e Policisë. Uniformat blu kanë patur informacion për një sasi parash që gjyqtari kishte në banesë dhe i kanë sekuestruar menjëherë ato. Shkëlqim Miri akuzohet për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” . “Janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash” – thotë Policia e Shtetit pas ndalimit të gjyqtarit.
Diskutime rreth kësaj post