Pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare 2021, janë shtuar zërat që Lulzim Basha duhet të tërhiqet nga kreu i partisë. Një ndër zërat që ka bërë thirrje për largimin e Bashës nga drejtimi i PD, është edhe ish-kreu i PD në Kukës, Ibsen Elezi.
Për Elezin, përgjegjës për humbjen në 25 prill është edhe Sali Berisha, po aq sa Lulzim Basha. Kjo sepse sipas tij, Berisha me heshtjen e tij ka stimuluar humbësin, e për pasojë kjo do të sillte humbje të njëpasnjëshme, siç edhe ka ndodhur.
“Në rastin e Berishës, do e shihja problemin ndryshe, me dashjen apo pa dashjen e tij, Berisha ka qenë lider i PD dhe ka pasur periudha të qeverisjes së mirë, apo të dobët, por ka qenë një lider me karakter, fakti që merret me gjëra shumë të vogla ia ul imazhin, por dëmin ua ul edhe demokratëve, të merresh me statuse zvogëlon veten, nuk e di pse duhet ta bëjë këtë. Të përfundosh të shpërndarë statuset e Xhelal Mziut, apo Edi Palkokës, më vjen keq. Duhet ta kishte bërë që ditën e sotme, një njeri që dështon disa herë duhet të largohet. “Mos i stimulo humbësit, se sjell humbësit”, thoshte Berisha, por pse nuk e ke më vete në fokus. Berisha e ka maskuar shumë bukur që ta bëjë Bashën që ta bëjë kryetar, për humbjen është përgjegjës Berisha po aq sa Basha”, tha Elezi.
Ai është i bindur në largimin e Bashës, pasi thekson se zërat kundër tij brenda PD-së po shtohen, e për këtë tha se nesër do të ketë sërish protestë në selinë blu, që e quajti “Shtëpia e Lirisë”.
“Patjetër që Basha do largohet se presioni i demokratëve do të shtohet. Nesër do ketë prap protestë, do ketë më shumë njerëz, Basha ka kryer veprime që duhet ta kishim larguar me kohë, kjo e fundit është që duhet ta largojmë se s’kemi ku shkojmë, kjo nuk është meritë, është domosdoshmëri”, shtoi Elezi në Report Tv.
Diskutime rreth kësaj post