Irani sot filloi zyrtarisht procesin e prodhimit të uraniumit të pasuruar me 20 për qind në objektin e tij nëntokësor bërthamor Fordow. “Presidenti iranian Hassan Rouhani urdhëroi ditët e fundit zbatimin e ligjit të Veprimit Strategjik për Heqjen e Sanksioneve. Andaj, procesi i injektimit të gazit filloi disa orë më parë dhe produkti i parë i uraniumit të pasuruar me UF6 do të arrihet brenda disa orësh“, tha zëdhënësi qeveritar Ali Rabiei për agjencinë shtetërore të lajmeve.
Ai theksoi se i gjithë procesi filloi pas informimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Irani të shtunën konfirmoi planin për të rritur pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind teksa po zbaton ligjin e miratuar së fundmi si një kundër-masë ndaj sanksioneve të SHBA-së.
Në një intervistë për televizionin shtetëror, shefi i agjencisë bërthamore të Iranit, Ali Akbar Salehi, tha se Teherani e ka njoftuar mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, agjencinë IAEA, rreth planit të pasurimit.
Të premten, IAEA tha se Irani kishte komunikuar synimin e tij për të pasuruar uraniumin deri në 20 për qind pastërti, një nivel që e arriti para marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore. Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Teheranit iu lejua të pasurojë uranium deri në 3,67 për qind. Megjithatë, pragu u shkel nga Irani si kundërpërgjigje ndaj tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, duke rritur nivelin në 4,5 për qind.
Plani për të rritur nivelin nga 4,5 në 20 për qind, i cili konsiderohet “uranium shumë i pasuruar“, kishte qenë në proces për ca kohë por shkas i fundit ishte vrasja e shkencëtarit të shquar iranian Mohsen Fakhrizadeh në muajin nëntor të vitit 2020.
Pas incidentit që shkaktoi reagim të fuqishëm nga Irani, parlamenti i vendit prezantoi një plan strategjik për të kundërshtuar sanksionet, i cili bëri thirrje për përshpejtimin e aktiviteteve bërthamore dhe përfundimin e zbatimit vullnetar të Protokollit Shtesë. Projektligji më në fund u shndërrua në ligj pasi organi më i lartë mbikëqyrës i vendit, Këshilli Gardian, dha miratimin e tij, pavarësisht rezistencës nga qeveria.
Zbatimi i planit pritet të shtojë më tej tensionet midis Iranit dhe Perëndimit në një kohë kur administrata në ardhje në Washington ka sinjalizuar kthimin e SHBA-së në marrëveshjen e vitit 2015. Qeveria e Rouhanit thotë se është e gatshme të kthehet në përputhje të plotë të marrëveshjes, që do të thotë zvogëlim i pasurimit të uraniumit përsëri në 3,6 për qind, nëse SHBA-ja “pa kushte” kthehet në marrëveshje.
Tensionet kanë qenë të larta midis Iranit dhe SHBA-së, veçanërisht në Gjirin Persik të paqëndrueshëm dhe Irak në javët e fundit, përpara përvjetorit të parë të vrasjes së komandantit të lartë iranian Qasem Soleimani.
Diskutime rreth kësaj post