Kryetari demokrat, Lulzim Basha, e nisi takimin me biznesmenët e Durrësit duke deklaruar se qeveria e tij do të ulë taksat dhe do të luftojë krimin dhe korrupsionin.
“Biznesi po mbytet nga politikat e gabuara të kësaj qeverie. Kemi klimën më të keqe të biznesit në Europë. Për mua, një biznes i çliruar është vizioni për një biznes të suksesshëm. Ju duhet një qeveri që nuk ua bën jetën më të vështirë, por më të lehtë. Ne jemi për taksa më të ulëta dhe ulje të korrupsionit. Ky është në themel të vizionit tonë. Po tregohemi me gisht si qendra e krimit dhe drogës, ne do të punojmë që të tregohemi si qëndra e suksesit të ekonomisë dhe biznesit”, tha kreu i PD.
Pas ankesave të shumta të biznesmenëve, Basha tha se qëllimi është që të rikthehet konkurrenca e ndershme.
“Po nuk pate lidhje me kalçeton e Edi Ramës, nuk ke gjë. Po ne nuk kemi ndërmend të zëvendësojmë kalçeton e Edi Ramës me të Lulzim Bashës. Unë e shikoj biznesin shqiptar si kapitenët e punës, që sjellin teknologji të reja, që zhvillojnë. Shteti është një e keqe e paevitueshme. Ta kthejmë në një të mirë. T’i japim fund sistemit të patronazhit. Se e ka ndarë ekonominë në dhjetë pjesë me një ga padron. Të rikthejmë konkurencën e ndershme”.
Më pas Basha u ndal edhe te ankesat për inspektoriatet.
“Administrata shtetërore është e prirur gjithmonë nga abuzimi, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ndaj ne duhet të gjejmë nënyrën për ta kufizuar diskrecionin e tyre dhe kjo bëhet me ligje te qarta dhe rregulla të qarta loje. Për çfarë do të punoni ju, për të përmirësuar produktin tuaj apo të mbushni xhepat e inspektoriateve? Propozimi ynë i parë është një moratorium: të gjithë inspketoriatet do të shkrihen dhe do të riformatohen me një model europian. Moratorium mbi inspektoriatet. Shërbim, jo terror mbi biznesin. E kanë bërë me hije biznesin,” tha Basha.
Po ashtu, kryetari demokrat premtoi se do të hiqet taksa ‘Rama’ mbi karburantet. Ai premtoi edhe ulje të çmimit të energjisë elektrike. “Do paguani çmimin më të ulët në rajon,” tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post