Në vigjilje të “20 Shkurtit”, ditës kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, presidenti Ilir Meta ka kërcënuar me përmbysje të qeverisë. Pas sulmeve të ditëve të fundit nga ana e kryeministrit Edi Rama, presidenti doli në një konferencë shtypi ku nuk munguan sulmet dhe akuzat. Presidenti Ilir Meta kujtoi 2 marsin për të cilin tha se e kurseu qeverinë aktuale. Ai vijoi më tej duke thënë se mund të thërrasë sërish popullin në manifestim.
“Unë jam Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ushtari i parë i Republikës dhe student i dhjetorit. Policët e dinë mirë që i respektoj dhe u bëj thirrje që të mos keqpërdoren nga politika. Kjo është një çështje tjetër, jo për këtu, por shqiptarët nuk ka më njeri për t’i nxjerrë nga rruga e demokracisë. Duan të më procedojnë mua, kur të duan. Po mos i procedoj unë ata me gjithë popullin shqiptar. Me 2 mars i kurseva, mos të më detyrojnë të bëj thirrje tjetër. Thirrja është të gjithë në votime, them që fuqia e tyre është në zgjedhje. Është e ardhmja, dinjiteti, sovraniteti. Them referendum sepse nuk janë zgjedhje normale. Njëra palë kërkon të frikësojë ndërkohë që duhet të vërë gjoba se përse përmbytet Vlora e Durrësit”, tha ai.
Presidenti Ilir Meta bëri fajtore opozitën për situatën e krijuar lidhur me zgjedhjet. Ai paralajmëroi se do të ndëshkojë çdo parti që do të lërë Parlamentin.
“Fajin e ka opozita që e mësoi që të shkojë në zgjedhje pa kundërshtarë, dhe tani nuk do të ketë kundërshtarë, ishte një mësim i hidhur, dhe nuk do të jem më, unë do të ndëshkojë, çdo forcë që do të lërë parlamentin dhe nuk do të shkojë në zgjedhje”, tha Meta.
Teksa foli për largimin e disa figurave nga Lëvizja Socialiste për Integrim në drejtim të Partisë Socialiste, Meta u shpreh se Rama po merr ata që ai i cilësoi si llumi i LSI dhe po i promovon si ajka e PS. Ai vijoi më tej duke thënë se problem shqetësues për presidentin janë situata në të cilën ndodhet vendi për shkak të borxheve po ashtu edhe koncesionet.
“Nuk ka Ilir Meta shqetësimin e LSI. Nuk është nga ata që ndërrojnë parti, por nga ata që themelojnë parti. E dyta, i vetmi shqetësim që kam unë, është se kështu siç po sillet ai, do e trefishojë, se u ka treguar se si merr llumin e LSI dhe e shet si ajka e PS dhe shqetësimi im është kush e duron Monikën që do të thotë se ja ku dallon drejtimi i një partie nga burrë e një grua. Problemi është biznesi i arbitrazheve, problemet e shqiptarëve, Ilir Meta do të jetë rrugëve të Tiranës, të Vlorës, kudo që populli të ketë besim te demokracia”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuzua në drejtim të qeverisë sa i përket situatës nga pandemia në vend. Ai u shpreh se vendi është në prag të katastrofës për shkak të pandemisë së Covid, ndërsa theksoi se qeveria nuk ka asnjë plan. Ai vijoi më tej duke thënë se ndarja që është bërë nga qeveria për vaksinimin e disa grupmoshave, sipas tij është diktaturë.
“Pa plan të qartë vaksinimi vendi rrezikon një katastrofë. Planet konfuze, të ndryshueshme, jo transparente për vaksinimin, nuk mund të jenë alibi për të braktisur me mijëra qytetarë të infektuar dhe dhjetëra që po humbin jetën. Vetëm kriteret shëndetësore të gjendjes shëndetësore janë ato që duhet të vendosi përparësitë në vaksinimin e popullatës. Kriteret e ndarjes klasore për të marrë këtë shërbim jetik, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët. Nuk mund të lihen me mijëra mjekë pa pajisje mbrojtëse. Nuk mund të lihen qytetarët nën panikun për t’u përballur me pandeminë”, tha Meta.
Sakaq, presidenti Meta u shpreh se qeveria nuk u vjen në ndihmë qytetarëve, por bën vetëm improvizime. Ai theksoi se edhe kur vendi ishte në situatë të rëndë nga bora nuk kishte asnjë plan pasi qeveria nuk ishte në gatishmëri.
“Një shtet ka prioritet jetën e qytetarëve nuk ka prioritet tunelet imagjinare dhe koncesionet e padobishme, që vetëm rrisin borxhet e shqiptarëve. A e paralajmëruam, 5 ditë para që do të ketë reshje, probleme dhe e pamë vetë se kush ishte niveli i gatishmërisë”, tha Meta.
Diskutime rreth kësaj post