Kreu i PAA, Agron Duka ditën e djeshme në një intervistë televizive foli mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe humbjen e opozitës. Ai u shpreh se gabimet e opozitës kanë nisur më herët me humbjen e zgjedhjeve të mëparshme dhe djegien e mandateve.
Ai u shpreh se djegia e mandateve dhe dakordësia me kreun e PD Lulzim Basha ishte faj për humbjen. Sipas tij faji s’mund të kërkohet vetëm tek kundërshtari, por edhe tek gabimet e opozitës.
“Unë dola tek më të votuarit, mendoj që nëse vazhdojmë dhe gjejmë justifikimin e humbjes te vjedhjet nuk bëjmë analizë për të ardhmen, gabimet fillojnë që shumë më parë. Mendoj që ndihmoj dhe ka të tjerë si unë, opozitën. Se po vijuam të gjejmë humbjen te vjedhja do përsëritet gjëja. Unë kam qenë anëtar i komisionit i ndarjes administrative dhe humbëm në zgjedhje me atë lloj ndarje, gabimi i dytë djegia e mandateve dhe e kam thënë këtë. Kishim 5 mandate dhe i dogjëm. Që ramë dhe dakord me Bashën për këtë gjë. Pra është faji jonë, s’mund ta kërkojmë vetëm tek kundërshtari. Zgjedhjet u fituan edhe prej gabimeve tona”, – u shpreh ai.
Kreu i PAA tha se opozita duhet t’i shohë gabimet e saj dhe t’i pranojë ato. Duka u shpreh se Partia Demokratike nuk duhet të humbasë kohë, por duhet të ribëjë zgjedhje të reja e të lira brenda saj. Sipas tij lidershipi mund të jetë dhe Basha përsëri, por duhet të fitojë besimin e njerëzve.
“Opozita duhet të shikojë gabimet, ose e ardhmja është e errët, mos të humbasë kohë kot deri në shtator. Basha duhet patjetër të ribëjë zgjedhjet të lira në PD, jo siç u bënë më para, zgjedhje reale, të bashkohen demokratët, që nga i vjetri deri te më i riu. Të zgjedhin lidershipin e ri të PD që mund të jetë dhe Basha prapë, nëse e rifiton besimin, se kështu me artificë thjesht i shton jetën mazhorancës”, – tha Duka.
Ai i bëri thirrje opozitës që të njohë zgjedhjet sepse janë edhe negociatat para. Sipas tij rikthimi në Parlament është gjëja më e mirë që PD mund të bëjë.
“Unë jam me opozitën, kur t’u dalë sikleti humbjes do bien dakord me këtë që them unë. Në këto momente duhet të njohim zgjedhjet se kemi negociatat, që po ashtu të kërkojmë dhe zgjedhje të parakohshme për gabimet. Tani rikthimi në Parlament është gjëja më e mirë, jemi 63”, – tha Duka.
Diskutime rreth kësaj post