Maturantët në Tiranë dhe në disa qytete një ditë pas provimit të Letërsisë, kanë organizuar një protestë. Këtë të premte maturantët e Tiranës kanë protestuar para ministrisë së Arsimit në lidhje me vështirësinë që ato kanë ndeshur tek provimi i letërsisë.
Akademiku Artan Fuga shkruan se e mbështet fort këtë protestë. Ai shprehet se arsimi që u jepet po u shkatërron jetën për dekadat e ardhshme.
Artan Fuga shkruan:
“Unë mbështes fort protestën e maturantëve të Shqipërisë!
Ata kanë një mijë herë të drejtë!
Trajtohen me privilegje politike grupe dhe shtresa të caktuara, niveli i dijeve që u jepet është skandaloz, tezat e ndërtuara në mënyrë qesharake, shpërndarje e tyre në degët universitare e gjitha e dalë boje dhe e korruptuar, e ardhmja e tyre kulturore e vendosur në hone rrëpirash!
Arsimimi që u jepet po u shkatërron jetën për dekadat e ardhshme! Ata kanë të drejtë!
Ligja për arsimimin dhe standardet e shkollimit të kalbura!
Janë të mirë, të edukuar, me etikë të duruar, por politika u ka vendosur gjurin në kokë, po u marrin frymën burokratët, të paaftët, ata që nuk duan një rini të shkolluar!
Gjendja e studentëve dhe e cilësisë të diplomave është po aq e tmerrshme! Shoqëria po i merr frymën rinisë shkollore dhe universitare!
Po prish shpresën e kombit, po e dhunon, e ka lënë pa të drejta, në mëshirën e fatit, në papunësi profesionale, u jep mundësi o shitësa, o roje, o policë, o numërues votash në komisione votimi!
Diplomat pa vlerë në treg!
Shkolla nuk është skena e striptizës politike dhe e deklaratave boshe dhe të dëmshme!
Maturantët dëshmojnë se u bëhen privilegje politike anëtarëve të forumeve politike, se jepen kopje, se ka trajtime të privilegjuara, se ka presione mbi mësuesit politikisht!
Hapini gojën maturantëve dhe do të shohim se çfarë na dëgjojnë veshët!
Rinia shqiptare ka të drejtë të revoltohet!”, ka shkruar ai.
Diskutime rreth kësaj post