Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka zhvilluar ditën e djeshme një takim jozyrtar me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump.
Vizita e Melonit në klubin e golfit të Trump në Mar-a-Lago, Florida, vjen pak ditë para se kryeministrja italiane të presë Presidentin Joe Biden për një vizitë zyrtare në Itali dhe Vatikan nga data 9 deri më 12 janar.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Trump darkoi me Melonin në Mar-a-Lago, dhe e cilësoi atë si “një grua fantastike”, duke shtuar se “ajo me të vërtetë e ka pushtuar Evropën”. Meloni dhe Trump kanë shprehur vlerësime të ndërsjella në të kaluarën dhe udhëtimi i saj është një nga vizitat e para të një lideri të huaj në pronën e presidentit të zgjedhur në Florida që nga fitorja e tij në zgjedhjet e nëntorit. Takimi përforcon shpresat e mbështetësve të Meloni se kryeministrja konservatore italiane do të bëhet aleate e Trump në Evropë.
Tarifë për të hyrë në Nju Jork, republikanët i bëjnë kërkesë Trumpit: Shfuqizo skemën e re
Pjesa më e madhe e këtij roli do të përfshinte ndërmjetësimin e tensioneve midis liderëve të tjerë evropianë dhe Trump, i cili ka kërcënuar të nisë një luftë tregtare me kontinentin, si dhe të reduktojë mbështetjen amerikane për disa vende të NATO-s dhe për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.
Axhenda e takimit ishte e paqartë, por pritej që të dy liderët të diskutonin edhe mbi ndalimin në Iran të gazetares së njohur italiane, Cecilia Sala. Kjo ndodhi pak ditë pasi Italia arrestoi, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, një iranian të dyshuar për sigurimin e komponentëve të dronëve për Gardën Revolucionare të Iranit. Në takim raportohet të jetë diskutuar dhe për çështje të tjera që lidhen me Italinë si tarifat dhe lufta në Ukrainë.
Meloni gjithashtu ka një marrëdhënie të mirë me Elon Musk, njeriun më të pasur në botë dhe një këshilltar i ngushtë i presidentit të zgjedhur, gjë që mbështetësit e saj shpresojnë se do të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare sapo Trump të bëhet president.
Nga fitorja në zgjedhjet dhe deri më tani, Trump ka mirëpritur në Mar-a-Lago kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban, një kampion i “demokracisë joliberale”, si dhe presidentin e krahut të djathtë të Argjentinës, Javier Milei. Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau u bë lideri i parë i Grupit të Shtatë që vizitoi Trump në Florida që nga zgjedhjet, pas një kërcënimi për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë.
Diskutime rreth kësaj post