Greqia ka kthyer sytë nga zgjedhjet e 25 prillit sa i takon marrëveshjes me Shqipërinë për kufirin detar. Marrëveshja e vitit 2009 u firmos nga qeveria “Berisha”, ndërsa tani grekët po shohin nëse do të ketë ndryshime pushteti në 25 prill.
Lidhur me këtë ka folur edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në një intervistë televizive për mediat greke. Ai u shpreh se marrëveshja me vendin tonë e cila do të dërgohet në Hagë sipas tij do të jetë gati pas zgjedhjeve që do të zhvillohen në Shqipëri. Ai tha se projektligji do të votohet në mbledhjen e parë të Parlamentit, duke shtuar se Greqia ka bërë zgjerime gjithmonë me mjete paqësore dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare. Ndër të tjera ai u shpreh se zgjerimi është një e drejtë e Greqisë.
“Marrëveshja me Shqipërinë për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në lidhje me caktimin e zonave detare, do të jetë gati pas zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri. Projekt-ligji përkatës do të futet në Parlament shumë shpejt. Dhe do të votohet menjëherë. Ky zgjerim është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit tonë”, – shtoi ai.
Ndër të tjera, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, u shpreh se pavarësisht vështirësive që kaloi vendi sa i përket pandemisë, për të 2020 ishte një vit me rëndësi për zhvillimet politike, përfshirë këtu edhe marrëveshjen me vendin tonë për çështjen e detit.
“Megjithëse 2020 ishte një vit i vështirë me hijen e pandemisë kudo, ishte njëkohësisht një vit me zhvillime të rëndësishme politike për Greqinë midis tyre edhe ai marrëveshjes me Shqipërinë për të apeluar në Hagë”, – ka theksuar midis të tjerash, ministri i jashtëm grek Nikos Dendias.
Gjithashtu ai sqaroi se të gjitha forcat politike shqiptare mbështesin faktin që çështja e përcaktimit të kufijve detarë midis dy vendeve duhet të zgjidhet në bazë të Ligjit Ndërkombëtar të Detit nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë dhe se kjo procedurë sipas tij është edhe një mesazh ndaj Ankarasë.
Dendias flet për Ramën
Kreu i diplomacisë greke i pyetur për vizitën e kryeministrit shqiptar në Athinë ka thënë gjithashtu se tashmë Greqia ka një marrëdhënie të sinqertë bashkëpunimi me Ramën me të cilin ai vetë pati mundësinë të bisedonte gjerësisht për të gjitha çështjet bilaterale dhe rajonale. Po ashtu ministri i Jashtëm grek pohoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Greqia ka të drejtën e patjetërsueshme të saj për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje dhe se Shqipëria kishte bërë të njëjtën gjë 30 vjet më parë.
Sipas tij asnjë vend i tretë nuk mund të kundërshtojë këtë të drejtë ose të kërcënojë me luftë. Në pjesën tjetër të intervistës kryediplomati grek theksoi rolin e rëndësishëm që përpiqet të luajë Athina në Ballkanin Perëndimor për konsolidimin e stabilitetit dhe paqes.
“Synimi ynë është të krijojmë një kornizë të stabilitetit dhe qeverisjes në shtetet e BP me qëllim integrimin e tyre në familjen Evropiane, duke i mbrojtur nga depërtimi i rrjeteve ekstremiste dhe perceptimet neo-Osmane”, – tha ai.
Ai përmendi edhe vizitën e Bujar Osmanit në Athinë javën e ardhshme dhe nënshkrimin e tre memorandumeve me Maqedoninë e Veriut si dhe proceset që kanë filluar për të forcuar më tej praninë greke në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë.
“Gjatë kësaj vizite, do të nënshkruhen tre memorandume bashkëpunimi, të cilat tregojnë angazhimin tonë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në të njëjtën kohë, proceset kanë filluar për të forcuar më tej praninë tonë në Kosovë”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post