Drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, njëherësh Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ishte ditën e djeshme në disa familje, që jetojnë në skamje dhe pa asnjë ndihmë të vërtetë nga qeveria, ndërsa ka shpërthyer në akuza dhe sulme të forta në adresë të kësaj të fundit.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, numri dy i demokratëve thotë se Gëzim e File Lulja, banojnë në lagjen Vullnetari dhe blejnë me listë e sipas tij, janë pa punë dhe pa ndihmë. Kështu që nisur nga kjo situatë, zoti Bardhi ngre alarmin se qytetarët janë zhytur në borxhe dhe mezi ia dalin të shlyejnë detyrimin për dritat, ndërkohë akuzoi kryeministrin Edi Rama se gjatë 8 vitesh qeverisje ka mashtruar dhe braktisur qytetarët. Sipas tij, në 25 prill populli do të zgjedhje me votë një qeveri që ndihmon njerëzit, ndërsa i siguroi familjarët se programi i PD i përgjigjet realitetit dhe ofron zgjidhje.
“Mjerimi në Elbasan që fshihet nga propaganda e qeverisë. Në çdo lagje, në çdo rrugicë dhe në çdo pallat në Elbasan gjen njerëz në nevojë, në pamundësi që qeveria u ka kthyer kurrizin, duke i lënë në varfëri ekstreme. Gëzim e File Lulja, banojnë në lagjen Vullnetari dhe blejnë me listë. Pa punë, pa ndihmë. Janë zhytur në borxhe dhe mezi ia dalin të shlyejnë detyrimin për dritat. Ne kemi një program që i përgjigjet realitetit dhe ofron zgjidhje. Jemi angazhuar që të zhdukim varfërinë, të dyfishojmë ndihmën ekonomike, e të krijojmë 110 mijë vende pune. Qeveria jonë do u gjendet këtyre njerëzve në krah me uljen e çmimit të energjisë, dhe me mbulimin e kostove për arsimin për fëmijët. Shqipëria dhe qytetarët fitojnë më 25 prill. Elbasani fiton! Shqipëria fiton”, – shkruan ai.
Ndërkohë përmes një statusi të dytë në rrjetet sociale, drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Gazment Bardhi teksa kërkoi votën e qytetarëve, premtoi se Partia Demokratike do dyfishojë ndihmën ekonomike kur të vij në pushtet as 25 prillit.
“Kudo në Elbasan shoh mjerim dhe varfëri, prandaj na duhet ndryshimi në 25 prill, që të kemi mundësi të jemi përkrah prindërve në nevojë. Do ta keni përkrah qeverinë. Nuk mund të jeni vetëm! Qeveria nuk mund të jetë krah 10 njerëzve që fusin lekët e shqiptarëve në xhep dhe kanë braktisur 3 milionë të tjerë. Edi Rama na premtoi 300 mijë vende pune, por i mbylli ato dhe hoqi njerëzit nga ndihma ekonomike. Ne do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike, që jeta për atë që nuk gjen dot një punë të mos jetë kaq e vështirë sa sot. Na duhet mbështetja juaj që pas 25 prillit të keni qeverinë në krah”, – nënvizoi Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post