Ditën e djeshme kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka realizuar një takim me strukturat drejtuese të qarkut të Tiranës dhe kandidatët e partisë së tij. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai ka publikuar disa foto ku tregon pjesë nga takimi dhe bën me dije se Partia Republikane do të vazhdojë bashkëpunimin me Partinë Demokratike.
Sipas Mediut, koalicioni me PD dhe aleatët e tjerë do të vazhdojë në një qëllim të përbashkët, të rrëzojnë qeverinë Rama. Sakaq ai vuri theksin se është i ftuar në këtë rrugëtim çdokush që përpiqet kundër qeverisë aktuale.
“Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona pranë Partisë Demokratike dhe aleatëve të tjerë dhe dua ta theksoj që ajo që kërkojmë nga Partia Demokratike nuk është pazar, nuk po kërkojmë asgjë për Partinë Republikane, po kërkojmë që bashkë, Parti Republikane – Parti Demokratike dhe koalicioni të bashkojnë shqiptarët për t`u përballur me këtë regjim të korruptuar dhe në këtë situatë, është e domosdoshme të vlerësohet çdo demokrat, çdo republikan, çdo qytetar, i cili do që të përballet me këtë regjim”, – shkruan ai.
Mediu tha se, opozita duhet t’i mbajë sytë katër përballë Ramës, pasi po tenton të vjedhë zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij, është detyrë e opozitës që të bashkohet dhe të luftojë regjimin që po mban të zaptuar vendin. Prandaj ai kërkoi që forcat e tjera politike dhe qytetarë të thjeshtë të organizohen për të përmbushur detyrën kryesore që ka opozita në çdo vend të botës.
“Edi Rama deklaroi se po planifikon të vjedhë 75 mandate, për të qeverisur i vetëm përsëri dhe as faktet skandaloze të manipulimit të zgjedhjeve, as varfërimi i shqiptarëve, as shitja e interesave kombëtare, as devijimi i boshtit Euro-Atlantik të shqiptarëve, nuk ka për ta ndalur Ramën në rrugën e tij të manipulimit, kontrollit të pushtetit, të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Pra nëpërmjet parave të blihet politika dhe nëpërmjet politikës të shtojnë paratë në interes të krimit. Është detyrë e opozitës të organizojë dhe drejtojë këtë përballje. Rama ka arritur me sukses që ta vendosë pushtetin dhe shtetin nën këmbët e krimit të organizuar. E vetmja rrugë për t`u përballur me Edi Ramën, është organizimi i shqiptarëve dhe kjo është detyra primare e opozitës mbi çdo gjë tjetër”, – shprehet Mediu.
Diskutime rreth kësaj post