Holanda është një nga vendet skeptike për çështjen negociatave me Shqipërinë. Ambasadorja holandeze në Tiranë Guusje Korthals Altes shprehet se po ndjek me vëmendje ecurinë e institucioneve të reja të drejtësisë, sidomos SPAK-ut. Ajo përshëndet punën e deritanishme të SPAK-ut, por thotë se më shumë përpjekje dhe punë kërkohet në disa çështje të caktuara.
Guusje Korthals Altes foli gjatë prezantimit të një raporti mbi punën e prokurorisë së posaçme të Qendrës për Studime Ligjore dhe Sociale, e mbështetur nga ambasada.
“Në raport thuhet se ka disa çështje ku puna e SPAK është për t’u duartrokitur dhe se ka çështje që ngrenë pikëpyetje të mëdha. Ngritja e pyetjeve të duhuhra është thelbësore për punën e çdo institucioni të përfshirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ambasadorja holandeze.
Përforcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë një ndër kushtet e Holandës për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Në lidhje me datën për konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, Holanda thotë se ende nuk e ka marrë një vendim, ndërkohë që do të shihet nëse puna e SPAK do të mjaftojë që ky vend të japë dritën jeshile.
Diskutime rreth kësaj post