Deputeti dhe kryetari i PS për Tiranën, Ervin Bushati premtimin e PD për të dyfishuar ndihmën ekonomike në terma afatgjatë, e cilëson si të pa realizueshëm në një kohë kur nga ana tjetër premtohet dhe ulje e taksave.
“PD ka një shportë dëshirash që nuk bëjnë sens. Nga një anë kanë politika të djathta ku thonë se do të ulin tatimin dhe taksat nga ana tjetër kanë politika të majta dhe thonë se do të dyfishojnë apo trefishojnë ndihmën. Diferenca mes politikave të djathta nga njëri krah për të ulur taksat dhe premtimeve të majta është e paprecedentë në botën e financave publike. Në krahun e të ardhurave sillen djathtas ndërsa në krahun e shpenzimeve sillen si të majtë”, tha ligjvënësi socialist.
Bushati tha më tej se politikat e ndjekura gjatë qeverisjes së PS kanë qenë të suksesshme dhe këtë e dëshmon edhe fakti se Shqipërisë i ofrohet hua me norma të ulta interesi.
“Nëse më përpara PD i kishte normat e interesit deri në 12%, sot norma e interesit është deri në 3.5%”, tha ai.
Deputeti socialist komentoi edhe premtimet elektorale të kundërshtarit politik duke thënë se premtohet politika të majta për taksimin duke i ulur dhe nga ana tjetër zotohen për politika të djathta për pagat dhe investimet.
Ervin Bushati gjithashtu e cilësoi të gabuar taksën e sheshtë pasi sipas tij po zbatohet vetëm në Rusi.
“Amerika, Anglia, Franca, Gjermania, Italia kanë taksë progresive. Vetëm Rusia ka deklaruar që taksa e sheshtë ka sukses. Kemi një rekomandim të BE dhjetor 2018, ku taksa progresive duhet të rikthehet dhe në vendet që kanë taksim të sheshtë”, përfundoi socialisti.
Diskutime rreth kësaj post