Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur kundër një kërkese të kompanisë ‘Empire Investment Solutions’, e cila zotëron truallin ku ndodhet Universiteti Europian i Tiranës, për një godinë shtesë për institucionin arsimor në pronësi të Henri Çilit. Në dokumentin e siguruar nga Politiko.al kërkohet leja e zhvillimit nga firma në fjalë për ‘rikonstruksion i godinës D, ambjentet e Laburantëve të Universitetit dhe shtesë kati”. Ambjenti ndodhet pas UET dhe aktualisht është një ndërtesë e vjetër që përdoret si magazinë.
Pajisja me këtë lejë do t’i mundësonte UET zgjerimin me një godinë të tretë për të zhvilluar aktivitetet universitare. Burime të Politiko në UET thonë se drejtuesit e Universitetit kanë vendosur ‘të shtohen’ me disa fakultetet të tjera. Me sa duket kjo ka qenë shtysa për një godinë shtesë.
Arsyetimi i kryetarit të Bashkisë është se nuk mundet të jepet leja pa u hartuar PDV-ja ose plani i detajuar vendor.
Ky rrëzim i kërkesës shpjegon edhe një ‘ftohje’ të kohëve të fundit të Henri Çilit me Erion Veliajn, pasqyruar në disa heshtje apo disa qëndrime të botimeve Mapo. Botuesi ka qenë një proponent i zgjedhjes së Erion Veliajt nga Rama për garën e Tiranës.
Cilado qoftë marrdhënia mes tyre, është e habitshme lehtësia me të cilën jepen lejet në Tiranë për ndërtime kullash apo ambjentesh tregtare. E njëjta lehtësi përdoret për të refuzuar mjedise që kanë të bëjnë me arsimin.
Politiko.al zotëron të dhëna të tjera, që do t’i publikojë së shpejti, lidhur me pengimin që Rama dhe Veliaj i bënë planeve të Çilit për të ndërtuar një kampus të ri të UET në Sauk. Dy ndër njerëzit më të fuqishëm të vendit i vunë një kusht botuesit, edhe pse ai u shfaq hapur mediatikisht pro tyre.
Diskutime rreth kësaj post