Rusia i është përgjigjur ashpër vendeve që iu bashkuan SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe me dëbimin e diplomatëve rusë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Po “me të njëjtën monedhë” Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka thirrur këtë të premte në zyrë ambasadorët e 23 vendeve që urdhëruan dëbimin e diplomatëve rusë, duke i njoftuar se se një numër i barabartë diplomatësh të tyre janë shpallur persona “non grata”.
Në takim mësohet se ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në Moskë Arben Gazioni. Ndërkohë dy zyrtarët shqiptarë të dëbuar janë Albert Jarasi dhe Albert Doçi.
Sipas Zërit të Amerikës, veç dëbimit të diplomatëve, ambasadorët janë njoftuar edhe për notë proteste nga Rusia për të 23 vendet në fjalë, përfshirë edhe vendin tonë.
Një ditë më parë, Rusia njoftoi dje se do të dëbonte 60 diplomatë amerikanë si kundërpërgjigje ndaj hapit të ndërmarrë nga Uashingtoni.
Shtetet e Bashkuara deklaruan se nuk ka asnjë justifikim për largimin e diplomatëve amerikanë.
Mbrëmë, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se veprimi i Moskës “shënon një keqësim të mëtejshëm” të marrëdhënieve midis SHBA dhe Rusisë.
Konflikti diplomatik mes Rusisë dhe SHBA-ve e vendeve të tjera vjen pas akuzave nga Britania e Madhe për helmimin e ish-spiunit rus në Sergei Skripal, ngjarje kjo e ndodhur më 4 Mars në Salisbury.
Diskutime rreth kësaj post