Analisti i njohur, Fatos Klosi i ftuar në studion e “Breaking” u shpreh se pas mbylljes së votimit, shumë drejtues të PD-së shpallen fitoren.
Sipas tij, pritshmëritë e PD-së nuk dolën që në fillim, dhe nuk do të dalin as tani me akuzat që po ngre në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit
“U fol shumë për vjedhjen e votave. U kapën ca makina, u ndaluan nga militantë të PD-së nëpër fshatra. Erdhi policia dhe pa që nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme. Lista të zgjedhësve që nuk janë sekret”, – tha Klosi, i cili shtoi se “është një traditë e vjetër që humbësit nuk e pranojnë rezultatin”.
Ndërsa i pyetur në lidhje me Bashën, i cili nuk po jep dorëheqjen pas humbjes, edhe pse e kanë kërkuar emra të njohur të PD-së, analisti tha se “po iku, harrohet”.
“Nuk e njoh PD-në në brendësi, cila është fryma. Sali Berishën e njohim, politikani më i rëndësishëm në këtë vend. E dha dorëheqjen dhe ishte i bindur se ishte vetëm formale. Nuk u largua nga politika, me idenë se dha një mesazh që është i frymës demokratike. Por është fakt se Berisha ka qenë dhe është i rëndësishëm në PD. Ndërsa Luli po iku, harrohet. Hyri në PD rastësisht, sikur ra me parashutë. Luli nuk ka qenë pjesë e PD-së, u bë pjesë e saj nga vullneti i Berishës”, – tha Klosi.
Ky i fundit u shpreh se Partia Demokratike në këto zgjedhje rikuperoi pozicionin e saj që e kishte humbur në zgjedhjet e mëparshme.
“Po kthehet PD në pozicionet e saj të natyrshme, ashtu edhe LSI. LSI ka përfituar duke qenë parti e vogël por e rëndësishme për të krijuar qeveri”, – tha analisti.
Diskutime rreth kësaj post