Kryeministri Edi Rama ka rikthyer në skenë liderin historik të së majtës shqiptare, Fatos Nano. Ky i fundit pavarësisht se ka mbi 15 vite që është larguar nga skena politike, pasi dha dorëheqjen në vitin 2002 kohë kur Partia Socialiste i dorëzoi pushtetin Sali Berishës pas 8 vitesh qeverisje, vijon ende të ketë goxha popullaritet në elektorat dhe brenda PS.
Por dje ka qenë një ditë e veçantë për ish-liderin politik të së majtës, Fatos Nano, i cili ka festuar ditëlindjen e tij të 68-të. Kështu që në këtë ditë të shënuar për të, kryeministri Rama ka zgjedhur që ta urojë publikisht liderin historik të socialistëve. Përmes një mesazhi të mbushur me superlativa, Rama thekson se Nano e mbajti timonin e Partisë Socialiste në të përpjeta e të tatëpjeta dhe sipas të parit të qeverisë, padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që PS nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar.
“Nano e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxori socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës. Në qeverisjen e vendit atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndërtimit pas katrahurës rrafshuese të vitit ‘97. Po në kohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh”, – shkruan Rama.
Rama rikthen Nanon për të bindur të zhgënjyerit
Por duket se rikthimi në skenë i Fatos Nanos nga ana e kryeministrit Edi Rama është një strategji e mirëmenduar nga ky i fundit. Në 25 prill të vitit 2021 qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë që do t’i drejtojë për 4 vitet e ardhshme.
Mirëpo në kushtet kur Rama ka shprehur hapur ambicien për një mandat të tretë dhe në kushtet kur natyrshëm që ka shumë të pakënaqur nga mënyra se si Partia Socialiste ka qeverisur gjatë këtyre viteve, shefi qeverisë është vënë në lëvizje për të mobilizuar të majtët dhe bindur të zhgënjyerit, duke shkuar tek ta përmes figurës së Nanos. Pra, kryeministri Rama kërkon të fitojë zemrat e të majtëve dhe të zhgënjyerve, duke përdorur Nanon dhe iu dërguar atyre një mesazh se ka ardhur koha për bashkim dhe jo për përçarje dhe largim. Kjo do të thotë se me urimin dhe lakimin e emrit të ish-liderit historik të sa majës, Fatos Nano, kryesocialisti iu ka shtirë dorën edhe të majtëve dhe të zhgënjyerve, duke iu kërkuar në një farë mënyre që ta mbështesin dhe t’i japin një mandat të tretë në zgjedhjet e 2021.
Megjithatë, kjo nuk është ngjarje apo strategji e izoluar, pasi kryeministri Edi Rama tre vite më parë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit të vitit 2017, përdori figurën e Fatos Nanos për të mbajtur të bashkuar socialistët. Rama asokohe më konkretisht në 11 qershor u shfaq krah Nanos dhe takimi mes tyre është zhvilluar te vila qeveritare në Durrës dhe ka nisur rreth orës 17:30 dhe ka përfunduar në 19:30. Lideri historik i Partisë Socialiste dhe kryetari i sotëm i socialistëve, kanë qëndruar për më shumë se dy orë së bashku. Më pas Edi Rama është larguar drejt Tiranës, ndërsa Fatos Nano drejt Golemit në shoqërinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Diskutime rreth kësaj post