Presidenti Ilir Meta ka takuar familjarët e 4 martirëve të demokracisë dhe anëtarë të Shoqatës patriotike ‘’2 prilli’’. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se iu ka premtuar atyre se do të përmbushë amanetin e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës duke marshuar fitimtarë drejt 25 prillit për mbrojtjen e demokracisë, të ardhmen europiane, si dhe për mos lejuar shpopullimin e vendit.
Vetë Meta shkruan se si ish-student i Dhjetorit të ’90 do të jetë i palëkundur drejt misionit historik, madje ‘thumbon; ashpër edhe kryeministrin Rama në lidhje me deklaratën se në vend mund të sillen edhe punëtor të huaj.
Statusi nga Ilir Meta
“E kisha pritur prej kohësh një takim kaq të ngrohtë e frymëzues me familjarët e katër Martirëve të Demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka, por edhe me anëtarë të Shoqatës patriotike “2 Prilli”, me të cilët ndamë shqetësimin e përbashkët për gjendjen e rëndë ku ndodhen demokracia dhe liritë e të drejtat e njeriut, për shkak të keqqeverisjes dhe kapjes së shtetit.
Si ish-student i Dhjetorit ’90 ju garantova se do të jem i palëkundur në ballë të misionit historik e patriotik, që nisëm tre dekada më parë, për mbrojtjen e demokracisë, zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe paprekshmërisë së votës, për të cilat dhanë jetën më 2 prill 1991 edhe katër djemtë më të mirë të Shqipërisë.
Nga Shkodra, zemra e demokracisë, u angazhova para familjarëve të Dëshmorëve se do ta përmbushim amanetin e tyre duke marshuar fitimtarë drejt 25 prillit për të mbrojtur zgjedhjet, të ardhmen europiane të vendit, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë dhe largimin e shkodranëve e shqiptarëve, për t’i zëvendësuar ata me qytetarë nga vende të tjera.
Gjaku i katër Martirëve të Demokracisë, i Havzi Nelës dhe i të gjithë Dëshmorëve të rënë për lirinë e demokracinë nuk do të bëhet ujë!” – shkruan Meta.
Diskutime rreth kësaj post