Një inspektor policie dhe një avokat kanë përfunduar në pranga pasi akuzohen se merrnin para te ata të cilët kishin probleme me ligjin.
Në shkëmbim të parave ata premtonin ndikim të gjyqtari apo prokurori i cështjeve në fjalë.
Nën arrest kanë përfunduar shtetasit Haki Dyli, 60 vjeçar, punonjës policie pranë gjykatës së Durrësit si dhe Devis Qana, 40 vjeçar dhe me profesion avokat.
NJOFTIMI I SHÇBA:
SHÇBA ndalon 1 punonjës policie dhe 1 avokat, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë në këmbim të shpërblimeve monetare
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka ekzekutuar 2 urdhër ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për:
– Inspektor Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës;
– Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.
Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas një hetimi me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme. Të dy këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore. Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2.000 euro.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur të tjera detaje. /albeu.com/
Diskutime rreth kësaj post