Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku duket se nuk ka asnjë shqetësim nga shkeljet flagrante të ligjit që po kryen gjatë detyrës së saj.
Pasi ka kryer disa largime drejtuesish në kundërshtim flagrant me ligjin, ajo ka vendosur të hakmerret dhunshëm ndaj prokurores Rovena Gashi, me të cilën pati një përplasje që në ditët e para të punës së saj.
Është e paqartë ende se nga buron i gjithë ky guxim i Kryeprokurores, e cila, megjithëse, prej 15 vitesh juriste, nuk ka asnjë problem të shkelë ligjin në mënyrë abusive.
Së fundmi, ajo ka vendosur të hënën pezullojë nga detyra prokuroren Rovena Gashi dhe bashkëshortin e saj, prokurorin Dritan Gina, në shenjë hakmarrjeje për paditë që dy bashkëshortët dorëzuan në gjykatë kundër vendimeve të paligjshme të Arta Markut.
Shkak për pezullimin ka shërbyer një hetim i zhvilluar ndaj tyre nga kryeprokurorja e Durrësit, Donika Prela. Kjo e fundit, vetëm një ditë para se të ngrihej, në mënyrë të kundërligjshme, në detyrën e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, ka plotësuar dëshirën e titullares së saj, Arta Marku.
Hetimi ndaj bashkëshorteve Gashi-Gina ka nisur me iniciativë të Kryeprokurores Arta Marku. Si indicje për nisjen e këtij hetimi, Kryeprokurores së Përkohshme i kanë shërbyer disa artikuj abuziv ndaj pasurisë së Gashit, publikuar në portalin e të akuzuarit për pastrim parash, Alfred Peza.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, sot i konvertuar në pronar portali, është hetuar dhe dërguar për gjykim nga prokurorja Rovena Gashi, si person që ka pastruar para të pista në vlerën e 1 milion dollarëve.
Fillimisht, Pezës iu sekuestruan këto para, por më pas ato iu liruan. Dhe, nëpërmjet këtyre parave të pista, duket se ai ka bërë një portal, me qëllim kryesor goditjen e prokurores që e hetoi, Rovena Gashi.
Por, hakmarrja e ish-deputetit të PS, Peza, u kombinua me hakmarrjen e Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, ndaj Rovena Gashit.
Arta Marku mori shkrimet abuzive të Alfred Pezës dhe urdhëroi Donika Prelën e Durrësit që të merrte masat për të penalizuar prokuroren Rovena Gashi dhe bashkëshortin e saj, Dritan Gina.
Prela, njeri i bindur ndaj Arta Markut, nuk e bëri dysh fjalën e saj- ajo përfundoi hetimin dhe mori të pandehur Gashin dhe Ginën të martën, në dt. 8 maj 2015. Vetëm një ditë më pas, ajo gradohet drejtuese e Prokurorisë për Krime të Rënda. Natyrisht, e kishte përmbushur dëshirën e Arta Marku dhe tashmë i takonte trofeu.
Kryeprokurorja e Përkohshme nuk hezitoi aspak. Ajo lëvizi, në mënyrë tërësisht antiligjore, drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmatën dhe në vend të tij, emëroi Donika Prelën. Pazari u mbyll.
Diskutime rreth kësaj post