Janë publikuar përgjimet e tjera sa i përket grupit të “Habilajve” ku dyshohet se është përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Nga selia e PD-së, deputetit Enkelejd Alibeaj ka publikuar dokumentet, ndërsa tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të faktuar të paktën prej 4 muajsh se lidhja mes Saimir Tahirit dhe trafikantëve të drogës, bandës së Habilajve, mbahej edhe nëpërmjet Drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas PD-së, dokumenti me 18 faqe është bazuar në të dhënat e antimafias italiane, e cila ka përgjime bisedash dhe shkëmbime mesazhesh mes Habiljave dhe drejtuesve më të lartë të Policisë së Vlorës, të cilët provohet se ishin garantët për mbjelljen dhe trafikun e kanabisit drejt Italisë.
“Bisedat mes drejtuesve të bandës së Habiljave dhe drejtuesve të policisë së Vlorës, provojnë se Policia e Shtetit, jo vetëm ishte kthyer në roje të transportit të kanabisit drejt Italisë, por Jaeld Çela ka dekonsipruar operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror për llogari të Habilajve, që vetë trafikantët në përgjime i quajnë “kusho të ministrit” dhe që “siguronin garanci për kanabisin””, tha deputeti demokrat.
“Në vendimin e gjykatës thuhet se Jaeld Çela kishte komunikime telefonike me Artan Habilajn, i cili kishte në përdorim makinën e Ministrit të Brendshëm; kishte komunikime me Gentian Çekën, shoferi personal i Saimir Tahirit; kishte komunikime me Orest Sotën, të cilit iu gjetën 863 mijë euro në makinë, bashkë me dy patentat e Saimir Tahirit. Çdo shqiptar që i dëgjon këtë fakte e ka të qartë se këto nuk janë lidhje rastësore, por janë lidhjet që tregojnë se Saimir Tahiri ka qenë garancia politike për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga banda e Habiljave. Ajo çfarë nuk ka kuptim për shqiptarët është, pse për Drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela, ka kërkesë për arrest me burg dhe për Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, që kontrollonte piramidën e trafikut të drogës, ka mbrojtje politike të kryeministrit Edi Rama”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.
Diskutime rreth kësaj post