Dosja e ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla tremb anëtarët e Gjykatës së Apelit. Ditën e djeshme trupa gjykuese në Apelin e Gjykatës së Posaçme, në lidhje me çështjen e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ka ndryshuar.
Bëhet me dije, se janë dorëhequr dy gjyqtarët Saida Dollani dhe Dhimitër Lara, për arsye të cilat nuk dihen ende, ndërsa tashmë çështja e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla do të gjykohet nga gjyqtarët Nertina Kosova, Enton Dhimitri dhe Miliana Muça. Ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila pak javë më parë, caktoi datën 12 korrik, për zhvillimin e seancës së parë ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ku relatore të kësaj çështje u vendosën gjyqtare Nertina Kosova, ndërsa anëtarë Saida Dollani dhe Dhimitër Lara.
Por, pas dorëheqjes së dy gjyqtarëve, u caktuan dy gjyqtarët e tjerë. Ndërkohë, seanca në Apelin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për Adriatik Llallën është shtyrë për në datën 16 korrik. Shkak i shtyrjes së seancës është bërë edhe avokati mbrojtës i kryeprokurorit, i cili kërkoi kohë për t’u përgatitur. Kujtojmë se, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend. Pas kërkesës së SPAK, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori një vendim historik, në një seancë ku nuk munguan edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ish-Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi pretencën e SPAK duke mbyllur kështu në shkallë të parë këtë çështje. Kështu, nëse Apeli lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, ish-Prokurori i Përgjithshëm do të prangoset në sallën e gjyqit, pasi vendimi i Apelit është i ekzekutueshëm.
Akuzat ndaj Adriatik Llallës
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, i cili parashikon: “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Më 20 korrik 2018, prokuroria vendosi në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë. Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave ka pasur pastrim parash. Kur dosja vajti në gjykatë pronat u hoqën nga sekuestro, më pas Apeli i riktheu po në sekuestro.
Diskutime rreth kësaj post