Ditën e nesërme Partia Socialiste do të çelë zyrtarisht fushatën e saj elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Kandidati për deputet i PS për Tiranën, Arben Pëllumbi në një intervistë për ABC u shpreh sot se marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia, PS e ka të nevojshme që të takojë sa më shumë njerëz për t’u komunikuar edhe programin.
Ndërsa, për mënyrën sesi u organizuan listat, deputeti i PS u shpreh: “Nuk është më një gjë e re, që ndryshimet që pati kodi zgjedhor, ndryshuan edhe strategjinë me të cilën ne menduam t’i afroheshim elektoratit. Askush nuk është i sigurt, duhet të punojnë për të maksimizuar votën.”, – tha ai.
Duke u kthyer tek fushata, Arben Pëllumbi u shpreh se lista e kundërshtarit është e fosilizuar.
“PS duke qenë një parti që mbështet njerëzit më në nevojë, ke nevojë që të takosh sa më shumë njerëz për të bërë të njohur programin tënd. Lista e kundërshtarit, e fosilizuar me njerëz që nuk dihet se nga…ne themi mendimin tonë pa fyer askënd.”, – u shpreh ai.
Ndërsa duke iu referuar kryeministrit, Pëllumbi tha se Rama merret me punë dhe veprimtari konkrete dhe nëpër qytete bëhen takime për të shpjeguar programin. Gjithashtu, ai premtoi shumë surpriza në 30 ditët e fushatës.
“Programi do të shpaloset me fillimin e fushatës. Do të dalë i njohur si një i tërë, me të cilin do të ballafaqohemi me votuesit. Shumë surpriza do të kemi në 30 ditët e fushatës. Nuk mund të kemi grumbullime të mëdha, mitingje, flamurë….Por do ta rikuperojmë duke folur me njerëzit në kushtet që na ka krijuar pandemia.”, – tha Pëllumbi.
Në kuadër të fushatës, duke folur për incidentin e Elbasanit, deputeti tha se militantët ishin mbledhur aty para se të vinte lideri i tyre demokrat dhe se nuk kishte përplasje agjendash.
“Kryeministri shkoi siç shkon në qytete të tjera. Vajti edhe atë ditë në Elbasan, siç ka shkuar prej vitesh. Ishin në orare të ndryshme. Militantët ishin mbledhur më herët se të mbërrinte lideri i tyre.”, – përfundoi ai.
Duke folur për 25 prillin, Pëllumbi tha se betejë të lehtë nuk ka në asnjë qark ndërsa shtoi se shpreson që me trendin në rënie të shifrave të të infektuarve mund të kemi një situatë më të qetë.
Diskutime rreth kësaj post