Djali i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova dhe bashkëshortja e tij Blerta Rugova, u betuan para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas marrjes së shtetësisë shqiptare.
Ukë Rugova, politikan dhe sipërmarrës i suksesshëm, i bashkohet shumë personaliteteve të njohura nga Kosova, të cilët kanë vendosur të marrin edhe pasaportën shqiptare.
Në këtë ceremoni, Veliaj tha se është detyra e të gjithëve të punojnë për të çuar përpara zhvillimin e vendit.
Betimin për marrjen e shtetësisë shqiptare e bënë edhe Besnik Emini, me profesion stomatolog, dhe Zana Spahiu, me profesion juriste pranë Radio Televizionit të Kosovës.
Në vitin 2014, Rugova, Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe djali i ish-presidentit të Kosovës, u arrestua nga policia e EULEX-it nën dyshimin se ishte përshirë në një rrjet me shitje vizash.
Së bashku me Ukë Rugovën u arrestuan edhe shtatë persona të tjerë.
Burime brenda Policisë së Kosovës thonë se të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëvepruar në shitje vizash “shengen”.
Njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, Florian Petani, ndërsa konfirmohet edhe arrestimi i Izet Beqirit, shok i Ukë Rugovës.
Sipas gazetës “Zëri” Rugova ishte arrestuar me dyshimin se është përfshirë në shitje vizash.
Fjala është për shitjen e 100 vizave italiane, në bashkëpunim me një punonjëse te ambasadës italiane.
Një vizë ishte shitur për 3500 euro, ndërsa ishin përfshirë edhe pesë persona të tjerë nëpër komuna të ndryshme.
Ai u lirua në qershor 2014, por për çudi u arrestua sërish dy orë pasi ishte liruar, ndërsa avokati i tij Tomë Gashi, tha se Rugova është arrestuar me urdhër të prokurorit të njëjtë të EULEX-it, duke e quajtur keqpërdorim të drejtësisë.
Diskutime rreth kësaj post