Kuvendi i Shqipërisë u rikthye sot në punë pas një ndërprerjeje dy mujore për shkak të zgjedhjeve të 11 majit, por ajo që ra më shumë në sy nuk ishte vetëm shkurtësia e seancës që zgjati vetëm 15 minuta, apo debatet e tensionuara, por mungesa e dukshme e disa prej figurave kryesore të politikës shqiptare.
Mes emrave që nuk u panë në sallë ishte Lulzim Basha, ish-kryetari i Partisë Demokratike, i cili pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e fundit, ku nuk siguroi asnjë mandat, që nga numërimi i votave nuk ka reaguar dhe sot mungoi edhe në seancën e parë parlamentare.
Mungesa e Bashës nuk ishte e vetmja. Deputetë të njohur si Dashnor Sula, i cili vendosi të mos kandidojë pas përjashtimit nga listat, dhe emra të tjerë si Ori Nebijaj, Dhurata Çupi dhe Flutura Açka, gjithashtu munguan në seancë. Këta deputetë kanë qenë aktivë dhe të pranishëm në legjislaturat e kaluara, por tani nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të ri.
Këto mungesa të shpeshta të figurave kyçe nga radhët e opozitës, së bashku me mospraninë e Lulzim Bashës, kanë shtuar diskutimet rreth ndryshimeve të thella që sollën zgjedhjet e 11 majit në përbërjen e parlamentit.
Seanca e sotme, megjithëse e shkurtër, shënoi fillimin e punimeve parlamentare për periudhën 29 maj – 8 korrik 2025 dhe u shoqërua me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, por vëmendja kryesore u përqendrua te mungesat e shënuara në sallë, të cilat pritet të kenë ndikim në dinamikën e re politike në Kuvend.
Diskutime rreth kësaj post