Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që mosmarrëveshjet për çështjen e detit t’i zgjidhin në Hagë. Studiuesi i njohur Agron Alibali tha Euroneës Albania se dakordësia e arritur mes Shqipërisë dhe Greqisë për ta çuar çështjen e detit në Hagë është një hap i mirë në parim, ku shtoi se kjo ndikon në uljen e ngarkesave emocionale mes dy vendeve.
Ai theksoi se në këtë proces nuk do të ketë humbës. Studiuesi Alibali shprehet se praktika ndërkombëtare ka dëshmuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë vendime të drejta, të bazuara sipas parimeve të Konventës së Detit.
“Kam mendimin se zgjidhja e rënë dakord në parim nga të dyja palët është hap pozitiv dhe duhet përshëndetur. Palët kanë mbi 12 vjet që negociojnë dhe mosmarrëveshjet gjatë kësaj periudhë nuk u zgjidhën dot. Praktika ka treguar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të përcaktojë kufijtë detarë të drejtë, objektivë dhe të ndershëm, në përputhje me Konventën e Detit.”
“Kam mendimin se të dyja palët fitojnë, sepse arritja e një kufiri të drejtë është thelbësor për paqen dhe fqinjësinë mes dy vendeve. Dërgimi i çështjes në Hagë i largon ngarkesat e tepërta emocionale. Greqia ka të drejtë që të zgjerojë detin deri në 12 milje, aty ku kjo nuk cenon interesat e shteteve fqinje”, tha ai.
Ai komentoi edhe çështjen e heqjes së ligjit të luftës, që Greqia ka caktuar për Shqipërinë dhe ministri grek e cilësoi si “anakronizëm”.
“Heqja e ligjit të luftës është detyrim i pa përmbushur i palët greke. Shfuqizimi i këtij ligji ka qenë kusht nga Shqipëria për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post